Më së shumti të punësuar në Maqedoni janë të angazhuar në industrinë përpunuese apo në fabrika që punësojnë 160.223 punëtorë, pason tregtia me 118.722 punëtorë dhe bujqësia me 94.105 të punësuar. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, në fund të muajit mars këtë vit, popullata aktive e aftë për punë në vend përbëhet nga 943.964 persona, prej të cilëve të punësuar janë 793.121 persona, ndërsa 150.843 persona janë të papunë. Shkalla e papunësisë është 16 për qind, ndërsa ajo e punësimit është 47.1 për qind.
Pagat mesatare në fabrika janë afër 24 mijë denarë edhe pse me dhjetëra mijëra punëtorë punojnë edhe për pagë minimale, ndërsa në tregti – pagat mesatare janë 26 mijë denarë, ndërsa njëjtë sikurse në fabrika, edhe në tregti janë mijëra punëtorë që punojnë për pagë 15 mijë denarë. Në ndërkohë, në një ndër profesionet më të çmuara dhe më të paguara – në banka dhe sigurime, janë të angazhuar 10.692 të punësuar apo vetëm 1.3 për qind janë të angazhuar në këto veprimtari atraktive financiare. Njëherësh, për shkak të fitimit më të madh apo më të vogël të veprimtarive të ndryshme ekzistojnë edhe dallime të mëdha në paga në profesione të ndryshme.
Përderisa në bujqësi, paga mesatare është 21.547 denarë që është për afër 7 mijë denarë më pak se rroga mesatare në shtet, në veprimtarinë e financave dhe sigurimeve pagat mesatare janë 42.740 denarë, apo për 14 mijë denarë më shumë se paga mesatare e shtetit që aktualisht arrin në 28.217 denarë. Në një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomik të shtetit, atë të ndërtimtarisë – janë të punësuar 53.376 punëtorë me paga mesatare prej afër 26 mijë denarë. Në një nga profesionet më të vështira të industrisë – xehetari, pagat në mesatare janë 39.624 denarë, edhe pse punëtorët në nxjerrjen e qymyrit paguhen afër 21 mijë denarë në muaj, ndërsa ato në punën e nëndheshme për nxjerrjen e metaleve, paguhen afër 42 mijë denarë. Kjo degë punëson 6200 punëtorë.
Në transport janë të punësuar afër 41 mijë persona me paga mesatare prej 25.500 denarë, ndërsa në objektet e akomodim dhe shërbimit të ushqimit, me afër 19 mijë të punësuar, paga arrin afër 19 mijë denarë.
Edhe në sektorin publik edhe në atë privat – janë të shumtë punëtorët që paguhen shumë me pak se paga mesatare e deklaruar në profesionet e tyre. Në sektorin publik me 57.462 të punësuar, dominon administrata publike dhe mbrojtja me paga neto mesatare prej 30.295 denarë për të punësuar, e pasuar nga 52.561 të punësuar në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale me pagë mesatare prej 34.461 denarë, dhe arsimi me 49.327 të punësuar dhe më pagë mesatare 27.540 denarë.
Edhe në këto sektorë ekzistojnë dallime të mëdha në paga në varësi prej vendit të punës, arsimimit, përvojës së punës… Dallime në paga ekzistojnë edhe në sektorin privat prej 16 mijë denarë në prodhimtarinë e lëkurës apo afër 18 mijë denarë në prodhimin e veshmbathjes e deri në 40 mijë denarë në furnizimin me rrymë dhe afër 49 mijë denarë në telekomunikacion, 70 mijë denarë në programim dhe 42 mijë denarë në transportin ajror.