Kryediplomati gjerman: BE-ja përfundimisht duhet t’ia japë Kosovës vizat

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, sot ka folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.
Mass ka thënë se mesazhi gjerman është i qartë.
“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do ta rriste vetëm stabilitetin rajonal por do të hapte gjithashtu edhe rrugën për perspektivat e të dy vendeve për Bashkimin Evropian”, ka thënë Mass në një konferencë për media.

Kryediplomati gjerman ka thënë tutje se kur flitet për pragmatizëm, atëherë beson që “Bashkimi Evropian duhet përfundimisht që t’ia japë Kosovës liberalizimin e vizave, vendit të vetëm që vazhdon të jetë i përjashtuar nga e drejta për udhëtim në Evropë”, ka potencuar Mass.
Ai tutje ka bërë thirrje për bashkëpunim rajonal dhe pajtim.

“Të gjithë njerëzit në Evropë mbajnë barrë historike. Por historia nuk duhet të jetë një pengesë në formimin e një të ardhmeje të përbashkët”, ka shtuar krye diplomati gjerman.
Ndër të tjera, Mass ka thënë se përkrahin punën që po bëhet nga Josep Borell dhe Miroslav Lajcak në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.