Maas: Negociatat me Shkupin dhe Tiranën brenda këtij viti


Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, tha të martën (08.06) në Berlin se nuk beson se Konferencat e Para Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të hapen gjatë presidencës portugeze të BE-së. Ai i quajti përpjekjet që po bën aktualisht Portugalia si kryetare e radhës së BE-së për ta kaluar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në planin dypalësh një “fundament i mirë për të arritur çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare me këto dy vende në kuadër të presidencës sllovene, në gjysmën e dytë të këtij viti.

Maas: Jam optimist edhe pse po zgjat më shumë se ç’duam
“Jemi në dialog të ngushtë me Slloveninë dhe Portugalinë, në kuadër të presidencës treshe të Këshillit të BE-së, por edhe me Komisionin e BE-së, në mënyrë që të krijojmë premisat që me çdo kusht të hapen konferencat e para ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë jam optimist se këtë do ta realizojmë, edhe pse është e vështirë dhe po zgjat më shumë se ç’duam”, tha shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas.

Ministri i Jashtëm gjerman tha gjithashtu se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor i plotësojnë kushtet e kërkuara, atëherë nuk kemi përse të ngurrojmë me fillimin e negociatave. Maas kishte drejtuar të martën paradite seancën virtuale të konferencës së ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, duke parapërgatitur kështu samitin e fundit të këtij formati, që do të zhvillohet në mënyrë virtuale, më 5 korrik nën drejtimin e kancelares gjermane, Angela Merkel. Veç ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në konferencë morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit, si edhe përfaqësues të nismave të dala nga ky proces.