Përderisa po numërohen ditët e fundit të këtij viti shkollor, mbetet pezull vendimi për kthimin në normalitet të mësimit me prezencë fizike nga shtatori. Nga Ministria e Arsimit thonë se ende nuk dihet nëse nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme mund t’u kthehen bankave shkollore nga viti i ri shkollor. Ministrja Milla Carovska tha se si ajo ashtu edhe drejtorët e shkollave, arsimtarët, prindërit e nxënësit janë të një mendimi që mësimi tradicional duhet të nisë nga shtatori. Por ajo shtoi se vendimi varet nga situata epidemiologjike.
“Duke u prirë nga këto informacione dhe gjendjen aktuale, kemi caktuar mbledhje me Komisionin për sëmundje infektive dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe në momentin që do të kemi qëndrim zyrtar të vërtetuar nga të gjitha palët e përfshira, të njëjtën do ta themi në opinion. Deri atëherë çdo informatë mbetet spekulim dhe nuk është përkatëse unë si ministre të merrem me spekulime.”- deklaroi Milla Carovska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Ndërkaq, rezultatet e një hulumtimi online të realizuar vjet gjatë pandemisë nga UNICEF dhe “Reaktor” nxjerrin ne pah se mësimi nga distanca ka qenë i suksesshëm. Në këtë studim prej 4811 të anketuar online, vetëm 115 kanë qenë nxënës, ndërsa të tjerët drejtorë shkollash fillore e të mesme, arsimtarë, profesorë dhe prindër. Duke iu referuar të dhënave të studimit, këta pak nxënës që janë anketuar duan mësim nga distanca që të vazhdojë edhe në vitin e ri shkollor.
“UNICEF” / “Reaktor
“100% e nxënësve nga hulumtimi dëshmuan se mësimi nga distanca është zhvilluar sipas orarit. 93% e nxënësve u deklaruan të kënaqur me përkrahjen që kanë marrë nga shkollat dhe arsimtarët gjatë kohës së mesmit nga distanca. 70% e nxënësve u shprehën plotësisht dakord me mësimin on-line për këtë vit.”
Gjatë muajit të kaluar, Ministria e Arsimit hartoi propozim ligjin që përfshin edhe digjitalizimin e librave shkollore. Reagime të shumta me protesta dhe thirrje për bojkot erdhën nga shoqatat e nxënësve dhe të prindërve të cilët kundërshtojnë digjitalizimin e konceptin e ri në arsim.