Kampionia shqiptare e atletikës Drita Islami, pritet nga kreu i Çairit, Visar Ganiu

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, sot priti në një takim kampionen e atletikës Drita Islami, e cila ditë më parë theu rekordin shtetëror në 400 metra pengesa, duke e vendosur kohën më të mirë me 58.66 sekonda dhe fitoi 1061 pikë në Federatën Botërore të Atletikës.
Drita triumfoi në garën me atletët më të mirë të të gjitha klubeve të Maqedonisë së Veriut.
Kampiones së re nga Shkupi, Ganiu i uroi suksese edhe më të mëdha, mе shpresën që emri i saj do të gjendet në vendet e para edhe në gara të tjera të përmasave botërore.

Drita Islami ka qenë edhe pjesëmarrësja e vetme shqiptare e cila na ka prezantuar në Lojërat Olimpike në Rio de Zhaneiro në vitin 2016, ndërsa ka qenë pjesëmarrëse edhe në Lojërat Evropiane në Baku në vitin 2015, në Kampionatin botërorë në Londër në vitin 2017, në lojërat Botërore Universitare në Tajvan në vitin 2017, në Lojërat Mesdhetare Tarragona në vitin 2018, pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian në Berlin-2018, në Lojërat Botërore Universitare në Napoli-2019, por edhe fituese në 400 metra me pengesa në kupën e Evropa ligës së 3-të në Malta 2017, fituese në 400 metra me pengesa në Kupën e Evropa ligës së 3-të në Shkup në vitin 2019. Ajo gjithashtu 8 vite radhazi ka fituar çmimin si atletja më e mirë në Maqedoni në kategorinë e femrave.

Gjatë takimit të sotëm, Drita Islami e ka informuar kreun e Komunës së Çairit se qëllimi i saj është të fitojë vendin e parë në 400 metra me pengesa në Kupën e Evropës që do të mbahet në Qipro më 19-20 qershor të këtij viti, si dhe ta përmirësojë rekordin shtetëror në po të njëjtën disiplinë.
Arritjet e tilla si të Drita Islamit na bëjnë vërtet shumë krenar dhe paraqesin një shembull të shkëlqyeshëm, por edhe nxitje se si duhet zhvillohen gjeneratat e reja të sportistëve.