VMRO ngriti padi penale kundër Zaevit, Dimitrovit, Xhaferit dhe deputetëve që votuan marrëveshjen me Greqinë

Partia opozitare VMRO-DPMNE në Prokurorinë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion shtroi padi penale kundër kryeministrit, Zoran Zaev, ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi si edhe kundër të gjithë deputetëve të cilët votuan për marrëveshjen e nënshkruar me Republikën e Greqisë.

Në padinë penale, siç thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së, do të ndiqen për katër baza për vepra të kryera penale, tradhti ndaj shtetit, sipas nenit 305 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, bashkëpunim me qëllim të veprimtarisë armiqësore, në pajtim me nenin 324 paragrafi 1 dhe 2 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit, në pajtim me nenin 353 paragrafi 1,2 dhe 3 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë.

Për të gjitha këto vepra, siç thuhet më tej në kumtesë, nevojiten dëshmi përkatëse të cilat janë bashkëngjitur me aktpadinë.

“Është e qartë se akti i dakordimit të marrëveshjes kapitulluese dhe sjellja e Ligjit për ratifikimin është shkelje e më shumë ligjeve, të Kushtetutës dhe në përgjithësi tentim për mashtrimin e të gjithë sistemit juridik në Republikën e Maqedonisë. VMRO-DPMNE pret që Prokuroria Publike dhe sistemi gjyqësor ta tejkalojnë druajtjen dhe të veprojnë në pajtim me ligjet dhe integritetin profesional dhe të shqiptojnë dënime përkatëse për autorët e këtyre veprave”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së opozitare.