U rivotua në Kuvend ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë. Me 69 vota “për” dhe 1 “të përmbajtur” deputetët edhe një herë dhanë miratimin e tyre për ratifikimin e paktit, disa ditë pasi presidenti Ivanov refuzoi ta dekretojë atë pas miratimit të parë. Salla ishte gjysmë boshe pasi VMRO-DPMNE-ja nuk pranoi të merrte pjesë në seancën, në të cilën, sipas tyre, degradohet populli maqedonas.
VMRO-DPMNE-ja nuk do të jetë bashkëpuntor dhe kundërshton aktin me të cilin parashikohet ndryshimi i Kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues, akt me të cilin përcaktohet fshirja e fjalës “Maqedoni”, sulmohet thelbi i identitetit dhe bëhet gjymtim afatgjatë në interesin shtetëror dhe identitetin e popullit maqedonas. Njëkohësisht presim që ky akt kundërligjor të mos nënshkruhet nga ana e presidentit të vendit sepse detyra e tij e parë është mbrojtja e interesave shtetërore dhe mbrojtja e Kushtetutës së vendit – deklaroi Igor Janushev, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
I përmaјtur ishte deputeti i shumicës Ferid Muhiq, i cili deklaron se marrëveshja është në kundërshtim me dispozitat e OKB-së të cilat i japin të drejtë çdo populli të vetëpërcaktohet. Nënshkruesi i marrëveshjes Shkup-Athinë, ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, deklaroi se asnjëra nga arsyet e presidentit Gjorge Ivanov për mos-dekretim të marrëveshjes, nuk qëndron. Ai kujtoi presidentin se pas rimiratimit, është i detyruar ta dekretojë marrëveshjen.
Në praktikë, marrëveshja do të sjellë etablim të identitetit tonë dhe do ta tejkalojë situatën e tanishme të luftës së përjetshme me emërim të kontestuar dhe mbiemër të papërshtatshëm për gjuhën ose popullin. Ashtu siç nuk mundet që identiteti të mbrohet duke e kompromentuar atë, duke pasur aparasyshë atë që ndodhi me procesin e “antikizimit’ ashtu edhe Kushtetuta nuk mund të mbrohet duke e thyer – u shpreh Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.
Ftesë që presidenti Ivanov ta nënshkruaj ratifikimin, bëri edhe kryeministri Zaev. Presidenti nuk ka afat deri kur mund ta japë firmën e tij në këtë ligj. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ditë më parë tha se nëse Ivanov edhe për herë të dytë nuk firmos dekretin, ligji për marrëveshjen Maqedoni-Greqi, bashkë me ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili kishte të njëjtin fat, të dërgohen për publikim në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Ivanovit. Jashtë Kuvendit, një numër simbolik personash të moshuar, protestuan për miratimin e marrëveshjes.