VMRO-DPMNE ka akuzuar sot partinë në pushtet, LSDM-në, se po avancon njerëz të caktuar në hierarkinë partiake si shpërblim për shërbimet që ata kanë bërë ndaj krimit, mafies dhe shkatërrimit të shtetit. Sipas VMRO-DPOMNE-së, qytetarët e panë se si Sanja Llukarevska u bë dora e djathtë e Zoran Zaevit në një kohë kur kompanitë familjare të kryeministrit, apo ato me të cilat familja e tij bashkëpunon, i kanë borxh për vite të tëra shtetit miliona denarë taksa të papaguara. Pikërisht sipas opozitës, kjo mbyllje e syve e DAP-it, ndaj mospagesës së taksave, u kthye në shpërblim me post partiak për drejtoreshën e këtij institucioni.
“Ky është një abuzim klasik, një partizim klasik i shtetit dhe i administratës, kjo është një marrje klasike peng e institucioneve publike për qëllime partiake. Pyetja është e qartë: a u avancua Sanja Llukarevska në LSDM, vetëm për faktin sepse e njëjta, si drejtoreshë e DAP-it, u mundësoi kompanive të Zaevit që të shmangin taksat për vite me radhë, pa pasur frikë se mos dënohen? Në listën e debitorëve dhe të atyre që shmangin taksat në DAP, janë edhe kompanitë me të cilat Zaevi bashkëpunon.
Vetëm tre nga ndërmarrjet në të cilat Zaevët janë bashkëpronarë, i detyrohen shtetit mbi 1 milion e 485 mijë euro. Dhe kjo përsëritet për vite me radhë. Në listën e mospaguesve në vitin 2019 ishin përsëri kompanitë e Zaevit, siç ishte “Elenica” me një borxh prej gati 10 milion denarë, “Dravas Engineering” me gati 17 milion denarë taksa të papaguara nga Vlera e TVSH-së, tatimit mbi fitimin dhe në bazë të tatimit mbi të ardhurat personale. Sot, në vend të njoftimeve boshe për transparencë, LSDM duhet të përgjigjet; a është avancuar Sanja Llukarevska në parti sepse lejon që kompanitë e Zaevit të jenë në listën e shmangësve të taksave për vite me radhë?”,- deklaroi Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.