Shkollat e Tetovës sivjet presin 1200 nxënës në klasë të parë

ilustrim

Në rrjedhë e sipër janë regjistrimet e fëmijëve në klasë të parë në shkollat fillore në Tetovë. Me këtë rast, në shkollat fillore të Tetovës pritet që për herë të parë të ulen 1200 fëmijë. Deri në fund të muajit prindërit duhet që tek autoritet shkollore të dorëzojnë dokumentet e nevojshme, thotë Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës.

“Është duke rrjedhë regjistrimi pa ndonjë problem i fëmijëve në klasë të parë. Kemi mbi 25 për qind fëmijë të regjistruar deri më tani nga numri i përgjithshëm që kemi planifikuar dhe jemi duke njoftuar prindërit me kohë që të mos krijojmë radhë nëpër shkolla dhe shpresojmë këtë proces ta përmbyllim brenda këtij muaji”, deklaroi Ahmed Qazimi.

Regjistrimet mund të bëhen edhe në mënyrë elektronike por megjithatë fëmijët janë të obliguar që të dalin para komisionit të shkollës.
”Prindërit regjistrimin e fëmijës në klasë të parë mund ta bëjnë ose në mënyrë elektronike ose me prezencë fizike, por ne i ftojmë fëmijët që të kenë një komunikim fizik me pedagogun ose psikologun e shkollës me qëllim që të shihet niveli i zhvillimit të fëmijës dhe të kemi një pasqyrë reale mbi fëmijën sepse mund të kemi raste të fëmijëve me nevoja të veçanta, që më pas të marrim vlerësim se ky fëmijë mund të vazhdojë shkollimin apo duhet të ndjek shkollë të specializuar apo paralele të veçanta”, njofton Qazimi.

Gjatë vitit të ri shkollor 2021/22, në klasë të parë do të regjistrohen fëmijët e lindur në vitin 2015,ose fëmijët që deri më 31 janar të vitit 2021 do të mbushin 6 vjet. Për këta fëmijë që mbushin 6 vjet në janar të vitit të ardhshëm që të regjistrohen në klasë të parë kërkohet leje nga prindërit dhe mendim i psikologut.