Rrëmujë me terminet e vaksinimit, Petliçkovski: Sistemi, shkaktar i ngatërresave


Përderisa autoritetet shëndetësore thonë se të gjithë të interesuarit për vaksinim mbi moshën 40 vjeçe kanë marrë terminë për pranimin e dozës së parë të vaksinës anti kovid, qytetarë të shumtë shprehin indinjatën se nuk kanë marrë një termin të tillë edhe pse janë paraqitur on-line gjatë muajit prill. Autoritetet thonë se do të gjejnë zgjidhje dhe se problemet teknike nuk duhet të zmbrapsin vullnetin e qytetarëve për vaksinim. Imunologu Petliçkovski bën thirrje që sa më shumë qytetarë të paraqiten. Deri tani janë mbi 350 mijë.

Qëllimi ynë është të arrijmë imunitetin kolektiv dhe në atë drejtim duhet që të gjithë të interesuarve t’ju sigurojmë termin për vaksinim. Shohim që janë krijuar turma njerëzish konkretisht në QS Boris Trajkovski, por vlerësoj se duhet të gjejmë një termin si zgjidhje për të gjithë ata që duan të vaksinohen – tha Aleksandar Petliçkovski, Drejtor i Institutit të Imunologogjisë.

Por, edhe në qytetet e tjera personat e moshës mbi 40 vjeç nuk kanë marrë terminë për t’u vaksinuar. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kjo do të ndodhë brenda 3 ditësh. Sot në Kumanovë u vaksinuan kreu i Komunës Maksim Dimitrievski dhe Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski. Ndërkaq një pjesë e qytetarëve shkojnë në pikat e vaksinimit edhe pa termin. Apeli i mjekëve është i prerë për gjithë ata të rajonit verilindor, ku deri më tani janë vaksinuar mi 11 mijë qytetarë.

Dua të bëj thirrje deri tek qytetarët që të mos vijnë në pikat e vaksinimit pa pasur termin. Le të aplikojnë fillimisht në ueb faqen vakcinacija.mk dhe për dy ditë do të marrin terminin. Pa nevojë bëhen radhë të gjata dhe kemi shumë presion, na lusin për vaksina dhe duam që apeli të sensibilizoj qytetarët të kenë durim sepse të gjithë të interesuarit do të marrin termin dhe do të vaksinohen – u shpreh Snezhana Jovanovska, Mjeke në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë aktualisht ka mbi 3600 raste aktive kurse nëpër spitale janë të shtruar 490 pacientë. Krahas situatës epidemiologjike në vend, Komisioni për sëmundje infektive rekomandoi që masat antikovid të mbeten në fuqi. Ora policore të zgjatë nga mesnata vetëm 4 orë, ndërsa tarracat e kafeneve dhe restoranteve të punojnë deri në ora 23:30. Nga ana tjetër, shifrat vazhdojnë me trendin e rënies drejtë stabilizimit. Gjatë 24 orëve të fundit nga 1,314 teste janë regjistruar 27 raste të reja nga CoVid-19. 192 persona janë shëruar ndërsa 19 të tjerë kanë humbur betejën me virusin korona.