Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi u takua me z. Rusos Koundouros, ambasador i ri i Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë këtij takimi u bisedua për avancimin e bashkëpunimit në sfera të rëndësishme për qytetarët e të dyja shteteve, për të cilat u vlerësua se tashmë janë në fazë të realizimit, zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, zhvillimet politike në vend dhe në rajon si dhe
integrimin europian të vendit tonë.
Grubi dhe Koundouros u pajtuan se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia përmes miqësisë dhe promovimit të frymës së saj, që nga firmosja e Marrëveshjes së Prespës vazhdimisht kanë promovuar stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori i Greqisë, z. Rusos shprehu përkrahjen e Greqisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
Në këtë takim u bisedua edhe për regjistrimin, zgjedhjet lokale si dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë në sferën e energjetikës, gazifikimit. Grubi theksoi patjetërsueshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës si dhe gatishmërinë e Shkupit për të përmbyllur pa vonesa edhe kontestin me Bullgarinë.