Presidenti Erdogan intensifikon aktivitetet diplomatike për Palestinën


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka intensifikuar aktivitetet diplomatike në mënyrë që Izraeli të ndalë sulmet e tij të përgjakura në Palestinë dhe që komuniteti ndërkombëtar të japë një reagim të fuqishëm dhe një mësim parandalues.

Për të mbështetur Palestinën kundër sulmeve të Izraelit, Turqia ka vazhduar përpjekjet e saj për të kaluar në veprim të gjitha institucionet ndërkombëtare kryesisht Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Organizatën për Bashkëpunim Islam (OBI). Ndërkohë që edhe presidenti Erdoğan deri më tani ka zhvilluar biseda telefonike me krerë të rreth 20 vendeve dhe qeverive përfshirë ato palestinezë, të Rusisë, Katarit, Pakistanit, Kuvajtit dhe Algjerisë.
Me liderët që ka biseduar, Erdoğan i ka ftuar ato që së bashku të kalojnë në veprim në mënyrë efektive kundër sulmeve dhe presioneve të Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aksa, Kudsit, Gazës dhe palestinezëve muslimanë.
Në këtë drejtim Erdogan realizoi kontaktet e tij të para me presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe kreun e Zyrës politike të Hamasit, Ismalil Haniyeh.

Që nga 8 maji e deri më tani presidenti Erdoğan ka diskutuar sulmet e Izraelit kundër Palestinës në bisedat që ka zhvilluar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, Emirin e Kuvajtit, Sheikh Nawwaf al-Ahmad Al-Jabar al-Sabah, Mbretin malajzian, Al-Sulltan Abdullah Ri’ayatuddin Al-Mustafa Billah Shah, presidentin e Indonezisë, Joko Widodo, presidentin e Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan, presidentin e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersin Tatar, presidentin e Kirgistanit, Sadyr Japarov, presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani, kryeministrin e Irakut, Mustafa al-Qazimi, presidentin e Nigerisë, Mohammadu Buhari, kryeministrin e Libisë, Abdul Hamid Dbeibah, Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tarik Al Said dhe ish-kryeministrin e Malajzisë, Mahathir Mohamad.

Mesazhet që ka dhënë presidenti Erdoğan
Presidenti Erdoğan në biseda sulmet e Izraelit i ka cilësuar “terror” dhe ka theksuar se dënon në mënyrën më të ashpër persekutimin ndaj muslimanëve palestinezë.
Duke bërë të ditur se për të ndalur terrorin dhe okupimin që zbaton Izraeli, Erdoğan ka bërë përpjekje në çdo nivel për të kaluar në veprim të gjithë botën kryesisht botën islame. Ai ka vënë theksin që Turqia gjithmonë do të vazhdojë të jetë mbështetëse e kauzës palestineze, të qëndrojë pranë vëllezërve të saj palestinezë si dhe të mbrojë nderin e Kudsit.

Paligjshmëria dhe sulmet çnjerëzore të Izraelit në thelb u drejtohen të gjithë muslimanëve, ka njoftuar Erdoğan, duke tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e bashkëpunimit së bashku në mënyrë që të ndalen menjëherë sulmet e Izraelit, të jepet një reagim i fuqishëm dhe parandalues nga komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre sulmeve, të hidhen hapa konkrete kundër zbatimeve të paligjshme si dhe që të ofrohet mbështetje ndaj Palestinës.

Po ashtu presidenti Erdoğan ka theksuar se është e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë ndaj çështjes para se kriza të rritet më shumë dhe se duhet të punohet mbi mendimin për dërgimin e forcave ndërkombëtare mbrojtëse në rajon për mbrojtjen e civilëve.

Për më tepër gjithashtu, në përputhje me udhëzimet e presidentit Erdoğan, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë ka organizuar një “Takim emergjent për Kudsin” me axhendën “Xhamia Al-Aksa dhe Kudsi” ku morën pjesë ministrat e çështjeve fetare të vendeve islame, krerët dhe kryemyftinjtë e këtyre institucioneve. Në takim u paraqit një qëndrim i përbashkët lidhur me mbrojtjen e shenjtërisë së Kudsit dhe ndalimin e persekutimit ndaj muslimanëve palestinezë.