Dua Lipa fiton çmimin për këngëtaren më të mirë britanike në “Brit Awards”


Këngëtarja 25-vjecvare nga Prishtina ka fituar çmimin si artistja më e mirë britanike. Dua Lipa ishte ndër muzikantët e parë që nisi ceremoninë duke performuar disa nga hitet e saj. “Brit Awards” po përcillet në mënyrë fizike nga 4 mijë njerëz si dhe po transmetohet live.

“Faleminderit shumë është një nder që të jem këtu dhe përsëri në skenë. Herën e kaluar kur kam qenë këtu në vitin 2018 kam thënë që dëshiroj që të shoh më shumë gra në këtë skenë dhe tri vite më vonë jam shumë e lumtur që po e shoh këtë”, ka thënë ajo duke falënderuar familjen e saj dhe ekipin që ka punuar bashkë me të.
Lipa me “Physical”, po synon të marrë çmimin për këngën më të mirë (British single). Ajo po ashtu është e nominuar për albumin me të mirë (British Album), në këtë ceremoni me albumin “Future Nostalgia”.

Lipa për herë të parë u shpërblye në këtë ceremoni në vitin 2018 kur mori çmimin si këngëtarja më e mirë solo dhe artistja më e re që depërtoi në skenë. Një vit më pas, ajo mori përsëri çmimin për këngën me të mirë me “One Kiss”. Ani pse vitin e kaluar ajo nuk ishte në mesin e të nominuarve u kthye këtë vit me nominim të trefishtë.

“Brit Awards” është mbajtur çdo herë në shkurt mirëpo për shkak të pandemisë këtë vit po mbahet në maj. Ceremonia po ndiqet me prani fizike të publikut pasi që manifestimi është pjesë e Programit hulumtues të qeverisë përmes të cilit po shikohen mundësit për të mbajtur ngjarje kulturore me prani me të madhe të publikut.