Kina thotë se raketa e saj nuk do të shkaktojë dëme dhe do të digjet në atmosferë


Ministria e Jashtme kineze thotë se raketa, kontrollin e së cilës e ka humbur prej kohësh, nuk do të shkaktojë dëme, pasi me hyrjen në atmosferë ajo do të digjet.
“Kjo lloj rakete ka një strukturë teknike speciale dhe pjesa më e madhe e përbërësve do të shkatërrohen dhe zhduken sapo të hyjnë në atmosferë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.

Megjithatë, zyrtari kinez nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë që copëza të kësaj rakete t’i mbijetojnë djegies nga atmosfera dhe të përplasen në Tokë me furinë e mijëra kilometrave për orë. Por, Pekini thotë se mundësitë që të shkaktojë dëme janë mjaft të vogla.

Me një peshë deri në 23 tonë, raketa kineze është ndër anijet më të mëdha kozmike në dekada që do të bjerë në Tokë në mënyrë të pakontrolluar dhe kjo nuk do të ishte hera e parë. Vitin e kaluar, sërish mbetje të një anijeje kozmike kineze ranë në Afrikën e Jugut, ku shufra metalike deri 10 metra të gjata ranë mbi çatitë e shtëpive në një zonë të banuar.