Deponia e egër në fshatin Nikushtak si duket edhe për disa vite do të mbetet aty. Ndërsa është krijuar që nga viti 2000. Për të zbutur sadopak pamjen e shëmtuar të deponisë nga Komuna e Likovës para dy vitesh kishte premtuar se do të ndërtojë një mur rrethues.
Këtë herë nuk po mbaj maskë për shkak të Covid-19, por për shkak të tymit dhe mbeturinave që janë djegur këtu në deponinë e egër në fshatin Nakushtak. Nga Komuna e Likovës para dy viteve kishin premtuar se do të ndërtohet një mur rreth deponisë deri sa të fillojë me punë deponia rajonale, por deri tani punimet nuk janë askund.
Edhe kësaj radhë nga Komuna e Likovës thonë të njëjtën gjë.
“Ne kemi përgatitur projekt kryesor, jemi në fazën finale të dhënies së ndërtimit. Atë pjesë do ta rrethojmë në bazë të kushteve dhe standardeve të cilat parashihen për kësi lloj deponish dhe sadopak ta mbulojmë atë vend që mos të duket ashtu siç duket tani”, u shpreh Erkan Arifi – kryetar i Komunës së Likovës.
Por për zgjidhje afatgjate të problemit, kryetari i Komunës së Likovës thotë se është themeluar ndërmarrje e përbashkët ndër-komunale afër qytetit të Kumanovës , e cila do të shërbejë si deponi rajonale.
“Është themeluar ndërmarrje e përbashkët ndërkomunale ku dhe është fituar projekti nga Bashkimi Evropian përmes Ministrisë për Ambient Jetësor për ndërtimin e fabrikës e cila do të ndërtohet në qytetin e Kumanovës dhe në bazë të atij aplikimi të Komunës së Likovës kanë takuar dy kamionë të mëdhenj që do të shërbejnë për grumbullimin e mbeturinave”, shtoi kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Ndërkohë që në vitin 2013, ish-kryetari i Komunës Sadulla Duraku kishte paralajmëruar realizimin e projektit të njëjtë, ndërtimin e një deponie rajonale në rajonin e Kumanovës, por pa rezultat konkret e deri sa të hyjë në funksion kjo deponi rajonale, banorët e kësaj zone edhe më tutje do të vazhdojnë të thithin tymin e djegur nga mbeturinat e ndryshme.