Vrasja e Naip Rexhepit në Reçicë të Vogël, të akuzuarit të enjten ulen në bankën e të akuzuarve


Personat e përfshirë në ngjarjen e armatosur në Reçicë të Vogël, ku mbeti i vrarë Naip Rexhepi dhe disa të tjerë u plagosën, të enjten, më 5 korrik, do të ulen në bankën e të akuzuarve, konfirmojnë për Portalb.mk nga Prokuroria Themelore Publike.

Prokuroria e Tetovës, paraprakisht ka ngritur akuzë kundër 13 personave për pjesëmarrje në incidentin e armatosur në Reçicë të Vogël, i cili ka ndodhur më 5 prill të këtij viti. Kundër katër personave është dorëzuar akt prokuroria për vazhdimin e masës së paraburgimit, me të cilin një person ngarkohet për veprën penale “vrasje” dhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Tre persona ngarkohen për veprën penale “tentim-vrasje” dhe për “armëmbajtje pa leje”.

Prokurori i lëndës, deri te Gjykata e Tetovës ka propozuar për tre të akuzuarit që të privohen nga liria, si dhe njërit prej të akuzuarve, i cili ende është në arrati, t’i vazhdohet paraburgimi, transmeton Portalb.mk.

Kundër nëntë personave tjerë, Prokuroria e Tetovës ka dorëzuar propozim prokurorial, me të cilin të gjithë ngarkohen për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje”. Për tetë, nga këto të akuzuar, prokurori ka dorëzuar propozim për shqiptimin e masave të kujdesit, ndërkaq për një person ka shqiptuar masë paraburgimi.

Ndryshe, sipas asaj që është folur në opinion, jo-zyrtarisht, personat e përfshirë në incident paraprakisht janë përleshur fizikisht më pas kanë qenë në dy vetura të ndryshme, janë ndalur në rrugë dhe janë përleshur mes vete dhe me armë. Ngjarja ka ndodhur afër selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërsa kjo parti përmes një kumtese mohoi të ketë lidhje me incidentin.

Jo-zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur në lidhje me atë se kush do ta merr degën e BDI-së në Kumanovë. Incidente të tilla kanë ndodhur edhe më herët ku mbeti i vrarë, Xhemail Rexhepi – Komandant Shqiponja.