VMRO organizon protestë të dielën në qytetin e Zaevit, Strumicë

VMRO-DPMNE-ja akuzon kryeministrin Zoran Zaev për fillim të fushatës për, siç e quan, Marrëveshjen e kapitullimit të Maqedonisë përballë Greqisë për çështjen e emrit. Sipas partisë opozitare, Zaevi po luan me ndjenjat e qytetarëve para se të dihet nëse marrëveshja do të ratifikohet dhe para se të vendoset për referendumin. Nga VMRO-ja porosisin se ratifikimi me dhunë i kësaj marrëveshje do të ketë pasoja penale, raporton Alsat-M.
“Derisa me dhunë po tentohet që të imponohet kjo marrëveshje kapitulluese për sistemin kushtetuese, Zoran Zaev ka nisur fushatën për pashmangshmërinë e kapitullimit. Këtë kampanjë Zaev e ka filluar para se kjo marrëveshje kapitulluese të ratifikohet dhe para se të merret çfarëdo vendimi për referendumin”, tha sot Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Partia më e madhe opozitare maqedonase ka paralajmëruar protesta të reja të dielën, por kësaj radhe në Strumicë, në qytetin e kryemionistrit aktual të Maqedonisë, Zoran Zaevit.

Kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski bëri thirrje për protestë, për, siç tha, t’iu dhënë fund të ardhmes të cilën nuk e duan qytetarët.

“Ju bëj thirrje në për marsh protestues të dielën në Strumicë në orën 13. Do të mblidhemi në parkun e Strumicës e deri tek Komuna e Strumicës. Bashkërisht, në pajtueshmëri dhe të vendosur si disa herë që jemi mbledhur dhe do të mblidhemi përsëri të themi PO, Maqedonia do të fitojë”, u shpreh Mickoski.

Nga LSDM porositën liderin e opozitës dhe partinë e tij që të mos e shprehin nervozizmin tek qytetarët. Sipas socialdemokratëve, VMRO-DPMNE-ja po shfryen mllefin e paaftësisë së saj për të zgjidhur çështjen e emrit plot 11 vite.