“Nuk dhembi, ishte sikur të të pickojë diçka”! Kryeministri Zaev vaksinohet me “Sinofarm”


Me 10 minuta vonesë, nga orari i paraparë, por gjithsesi Kryeministri Zoran Zaev erdhi për t’u vaksinuar.
Në fillim u paraqit në sportelin e Qendrës për vaksinim “Boris Trajkovski”, ku krahas procedurave të rregullta gjeti kohë edhe për të bërë shaka e folur me qytetarët.
Pastaj u drejtua drejt kabinës ku po e priste infermierja.

U zhvesh dhe e pranoi dozën e parë të vaksinës kineze “Sinofarm”. Kur doli jashtë para gazetarëve, tha se “mirë është puna”.
“Top jam, meqë nuk po bie, do me thënë mirë është puna…”, u shpreh ai.
Madje tregoi edhe se aspak nuk i dhembi.
“Jo, jo… Sikur të të pickojë diçka”, tregoi Zaev.

Pasi ndihej mirë, u shpreh se do ta vazhdojë agjendën ditore, ndërsa ftoi të gjithë që të vaksinohen.
“Inkurajoj të gjithë qytetarët e vendit tonë, të gjithë që deri më tani nuk e kanë bërë këtë gjë, të lajmërohen për termin për vaksinim në ueb-faqen “vakcinacija.mk” dhe ta sigurojnë të vetmen mënyrë efikase për mbrojtje nga virusi korona”, apeloi kryeministri.

I pyetur për pengesat e paraqitura në pikat e vaksinimit në qytete të tjera, kryeministri tha se përskaj Shtabit Qendror koordinues, janë formuar edhe 3 nën-shtabe koordinatave, një për përpjekje për sigurimin e dozave shtesë, një për koordinim të procesit të vaksinimit dhe tjetri për pjesën e marketingut.
“Patjetër të them se fillimisht Komunat që kanë kapacitet të sigurojnë infrastrukturë, salla ose të ngjashme tashmë i kanë hapur qendrat rajonale, apeloj edhe tek Kryetarët e tjerë të komunave dhe këshilltarët, të bëjnë përpjekje shtesë që të hapen edhe qendra të tjera rajonale që të mundemi ta afrojmë vend-vaksinimin edhe më shumë tek qytetarët”, tha Zaev.

Në konferencë foli mbi 20 minuta. Deri në fund u duk mirë, ndonëse kur u largua, sigurimit ju desh ta orientonte kryeministrin se nga duhej shkuar.
Deri më tani gjithsej janë vaksinuar 74.076 qytetarë. Pritshmëritë janë që deri në fillim të verës të vaksinohet përqindje e madhe e popullatës, që do ta ndryshonte pasqyrën epidemilogjike në vend.