Studentët e UT-së realizuan vizitë studimore në kompaninë farmaceutike Galafarm

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të programit studimor Farmaci, bashkë me prodekanen për arsim Doc. Dr. Nexhibe Nuhiu dhe përgjegjësen e programit studimor Farmaci Doc. Dr. Arijeta Shabani vizituan kompaninë prodhuese farmaceutike dhe kozmetike “Galafarm”.

Gjatë vizitës, studentët u njoftuan me mënyrat e prodhimit të produkteve farmaceutike dhe kozmetike dhe funksionimin e laboratorit të kontrollit të cilësisë.
Studentët e vitit të pestë të programit studimor farmaci praktikën profesionale janë duke e ndjekur nëpër barnatoret komunale, por e kemi pare të arsyeshme qe të vizitojnë edhe kompanitë prodhuese farmaceutike.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Nevzat Elezi, thotë se praktika profesionale për farmacistët synon përvetësimin efektiv të njohurive praktike – teknike dhe etike të profesionistit, i garanton atij aftësitë e domosdoshme dhe përgjegjësinë publike për ushtrimin e pavarur të profesionit.

Deri më tani të gjitha 13 njësitë akademike të Universitetit të Tetovës kanë bashkëpunim të shkëlqyer me kompani të ndryshme, mediet dhe shumë institucione tjera shtetërore në vend, e pjesa dërmuese e studentëve tanë kryejnë vizita të ndryshme studimore si dhe e realizojnë praktikën profesionale.