Punëdhënësit në të ardhmen do të mund të punësojnë punëtorët vetëm në gjashtë muaj për kohë të caktuar të zgjatjes së kontratës së punës. Pas kalimit të këtij afati, punëtori do të fitojë kontratë pune për kohë të pacaktuar.
Maqedonia me ndryshimet e paralajmëruara të Ligjit për marrëdhënie pune pritet të rrisë punësimin e përhershëm të punëtorëve dhe të minimizojë apo edhe të ndërpresë praktikën e deritanishme që e kanë praktikuar mjaft punëdhënës – angazhimin e punëtorëve për kohë të caktuar. Një praktikë e tillë nuk është karakteristike vetëm për sektorin privat, por edhe për atë publik, duke filluar nga shkollat fillore, të mesme, çerdhet e kështu me radhë.
Punëdhënësit në të ardhmen do të mund të punësojnë punëtorët vetëm në gjashtë muaj për kohë të caktuar të zgjatjes së kontratës së punës. Pas kalimit të këtij afati, punëtori do të fitojë kontratë pune për kohë të pacaktuar. Gjithashtu, marrëveshje pune në kohë të caktuar në të ardhmen do të kontraktohet vetëm në rast të zëvendësimit të punëtorit, punëve urgjente të reja që nuk mund të evitohen dhe punëve në projekte që zgjasin deri në tre vjet.
Kjo, ndër të tjerash, parashikohet me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrëdhënie pune që është në përgatitje e sipër, ndërsa aktualisht po rrjedh debati publik lidhur me këto ndryshime. Nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale thonë se ndryshimet dinamike dhe kushtet e reja në tregun e punës kërkojnë edhe adaptim përkatës të legjislacionit që rregullon këtë materie.
“Zhvillimi i teknikës dhe teknologjisë, dhe sidomos puna përmes internetit që shënon rritje tek subjektet private, imponon që marrëveshjet e tilla të shpeshtohen dhe të rregullohen në mënyrë sistemore. Kjo paraqet sfidë për çdo shtet, andaj në këtë moment i kushtohet një vëmendje e veçantë përgatitjes dhe miratimit të zgjidhjeve të reja ligjore. Njëherësh, duhet pasur kujdes që një formë e tillë të mos shkaktojë uljen e të drejtave të punëtorëve dhe eksploatimin e tyre të heshtur”, thotë sekretarja shtetërore në këtë dikaster, Jovana Trençevska.
Nga ana tjetër, punëdhënësit e kundërshtojnë një zgjidhje të tillë ligjore, ndërsa kërkojnë që theksi të vendoset në marrëveshjet për punë në kohë të caktuar, nën arsyetimin se kompanitë në këtë mënyrë do të demotivohen të pranojnë punëtorë të ri.
“Punëdhënësi deri tani ka pasur mundësi të nënshkruajë kontratë pune me punëtorin për kohë të caktuar duke mos iu nënshtruar kritereve të veçanta. Tani kërkohet në mënyrë strikte që një gjë e tillë të zbatohet gjatë zëvendësimit të punëtorit, punëve të reja që nuk mund të presin e kështu me radhë. Në të gjitha rastet tjera, nëse hapet vend i ri pune, sipas Ligjit të propozuar, pas muajit të gjashtë të punës, punëtori duhet të nënshkruajë marrëveshje pune për afat të pacaktuar. Një gjë e tillë do të zvogëlojë motivimin e punëdhënësve të hapin vende të reja të punës. Nuk është e rastit që Evropa promovon më shumë marrëveshjet për punë të pacaktuar sesa ato për punë të caktuar”, thotë Angel Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë.
Sipas tij, marrëveshjet me afat të caktuar nga njëra anë sjellin frikë për vendin e punës, ndërsa nga ana tjetër – hapin mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Siguria e vendit të punës duhet të sigurohet përmes gjetjes më të lehtë të një vendi të punës, dhe jo përmes kufizimit ligjor se punëtori duhet të realizojë marrëdhënie pune përderisa i zgjat jeta. Nevojitet të ndjekim trendet e Evropës, për shkak se tregu i punës në Maqedoni nuk është i njëjtë me periudhën para 20 viteve”, thotë Dimitrov.
Nga ana tjetër, në Programin e punës së Qeverisë 2017-2020, thuhet se me miratimin e Ligjit të ri për marrëdhënie pune, ndër të tjerash edhe marrëveshjet kolektive do të jenë të obligueshme për të gjitha subjektet juridike me më shumë se 20 të punësuar. Gjithashtu, me ndryshimet ligjore sigurohet se marrëdhënia e punës që zgjat në afat të pandërprerë prej 6 muaj (punëtorët sezonal), do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm kalendarik, duke u transformuar në marrëdhënie pune në kohë të pacaktuar. Në ndërkohë, punëtorët në Maqedoni e humbën sigurinë dhe punësimin e përhershëm gjatë periudhës së tranzicionit, kur me Ligjin për marrëdhënie pune u mundësua që, krahas punësimit të përhershëm, të ketë edhe punësime edhe në kohë të caktuar.
Aktualisht, sipas Ligjit për marrëdhënie pune, punëtori pas pesë vitesh të kaluara me kontratë në kohë të caktuar, nevojitet të fitojë punësim të përhershëm. Megjithatë në praktikë ekzistojnë numër jo i vogël i shembujve që nuk respektojnë një dispozitë të tillë ligjore, andaj edhe ekziston edhe frika e të punësuarve për vendin e tyre të punës. Bile, punëtorët që nuk kanë punë të përhershme, shpesh kanë edhe paga më të ulëta në raport me kolegët e tyre me kontrata pune për kohë të pacaktuar. Se një mundësi e tillë ligjore në vitet e fundit u shndërrua në rregull dhe mundësi që e lejon Ligji, tregon edhe statistika e Agjencisë për Punësim, sipas së cilës në vitin e kaluar dominojnë kontratat e punës për kohë të caktuar.
“Në periudhën prej një janarit të vitit 2017 deri më 31 dhjetor të vitit 2017, në Maqedoni janë regjistruar 185.237 marrëdhënie pune apo fomularë M1 të punës. Sipas llojit të marrëdhënies së punës, 108.920 apo 58.8 për qind e tyre janë regjistruar në bazë të marrëdhënies së punës në kohë të caktuar dhe punë sezonale. Nga ana tjetër, 76.317 punëtorë apo 41.2 për qind janë angazhuar në kohë të caktuar”, tregojnë analizat e Agjencisë së Punësimit. (koha.mk)