Tetovë – U promovua vazhdimi i bulevardit industrial


U ndërtua një pjesë e re e bulevardit “Vidoe Smilevski-Bato” në hyrje të Tetovës, në vlerë të përgjithshme prej 985.4 mijë euro, financuar përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, zbatuar nga Ministria e Financave me përkrahje të Bankës Botërore.

Ministri i Financave Fatmir Besimi, së bashku me Kryetaren e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, sot në promovimin lidhur me rastin e përfundimit të këtij projekti, theksuan se ai siguron lidhje më të mirë të qytetit, trafik më të sigurt, përmirësim të infrastrukturës rrugore, zhvillim ekonomik të komunës, cilësi më të mirë të jetesës së qytetarëve, si dhe zvogëlim të ndotjes në qytet.

Ministri i Financave Fatmir Besimi, theksoi se përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale – MSIP, me fond të përgjithshëm prej pothuajse 102 milionë euro, deri më tani janë përkrahur mbi 260 investime kapitale, si ndërtimi i rrugëve lokale, infrastrukturë komunale, kopshte dhe infrastrukturë tjetër komunale, në të gjitha komunat e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai bëri të ditur se zgjerimi i bulevardit “Vidoe Smilevski-Bato” është një nënprojekt tjetër i suksesshëm edhe atë në kohë pandemie dhe se ai ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga komuna për qytetarët e saj.

– Përmes këtij projekti janë ndarë 986 mijë euro për komunën e Tetovës për ndërtimin e një pjese të bulevardit “Vidoe Smilevski-Bato”, me ç’rast kanë përfitim të menjëhershëm 11.000 banorë të komunës, si dhe të gjithë qytetarët e rajonit të Pollogut. Ky nënprojekt është kontribut në mbrojtjen e qëndrueshme të mjedisit jetësor përmes zvogëlimit të emetimeve të dëmshme, zhurmës, ndryshimeve klimatike dhe efikasitetit energjetik. Gjithashtu, kontribuon edhe në zhvillimin ekonomik të komunës. Ndërtimi i këtij bulevardi, të rëndësishëm për trafikun në Tetovë, gjithashtu siguron tre lidhjet kryesore ndërmjet komunës së Tetovës me kryeqytetin e Shkupit, qytetin e Gostivarit dhe me pikën kufitare Jazhincë, tha Besimi.

Bulevardi është me gjatësi të përgjithshme prej 0.7 km, me gjerësi 22m, me dy trotuare me gjerësi 2.5m dhe një zonë të gjelbër me gjerësi 3m. Përveç ndërtimit të rrugëve dhe trotuareve, në kuadër të këtij projekti u ndërtua edhe kanalizimi atmosferik, linja e re e furnizimit me ujë dhe ndriçimi rrugor në pjesët e sapo ndërtuara. Kam kënaqësinë e veçantë, që sot së bashku me ministrin e Financave Fatmir Besimi e prezantojmë përfundimin e projektit Bulevardi industrial në Tetovë – projekt infrastrukturor me vlerë pothuajse 1 milionë euro. Këto mjete janë siguruar nga Banka Botërore, përmes instrumentit MSIP2 të Ministrisë së Financave të Maqedonisë së Veriut.

Ky investim mundësoi lehtësimin e trafikut në qytet dhe njëkohësisht ka edhe dimensionin e tij ekologjik, duke u mundësuar automjeteve të rënda transportuese që kalojnë tranzit nëpër Tetovë për të shmangur lëvizjen në pjesën qendrore të qytetit – tha kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi .Ministri i Financave Besimi theksoi se ky është investimi i dytë i konsiderueshëm, që përfundon në afat prej tre muajve në komunën e Tetovës përmes projektit MSIP.

Resprektivisht, deri në fund të muajit janar u promovua Projekti për furnizim me autobusë për transportin e qytetit në vlerë prej 720 mijë euro. Si rezultat i përfundimit të suksesshëm të këtyre dy projekteve në vlerë të përgjitshme prej 1.7 milionë euro, ministri Besimi bëri të ditur se komuna do të fitojë grant përmes projektit për furnizim me automjete speciale komunale dhe pajisje për ndërmarrjen komunale publike.