Rezultatet paraprake në Shqipëri, PS merr 74 mandate, PD 59


Komisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha sot se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave ka përfunduar tërësisht për subjektet zgjedhore, parti politike, koalicionet dhe kandidatët të pavarur në 4922 qendra votimit nga 5199 në total në gjithë vendin.

Sipas rezultateve preliminare, Partia Socialiste ka marrë 74 mandate, Partia Demokratike 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate. Ndërsa kandidatët e mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Numërimi ka përfunduar për subjektet që garuan në zgjedhje në të gjithë vendin, përveç Tiranës dhe Durrësit ku kanë mbetur për t’u numëruar edhe 13 qendra votimi.
“Ka përfunduar tërësisht procesi i numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit për partitë politike, koalicionet dhe kandidatët të pavarur për qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Fier, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Dibër, Berat dhe Vlorë. Për dy qarqet e tjera Tiranë dhe Durrës procesi ka përfunduar në 11 qendra numërimi dhe është ende në total për 13 tjera, ose në total janë 270 qendra votimi”, vijoi Komisioneri Celibashi.

Të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit e shfrytëzuan 1 551 921 votues ose 45.72%.
“Pjesëmarrja në zgjedhje pas përfundimit të numërimit të fletëve të votimit për 4922 qendra votimi është 45.72%, zyrtare, që është e barabartë me 1 551 921 votues, ndër 3 milionë 3 393 748 zgjedhës në listat e këtyre qendrave të votimit, të cilat kanë raportuar, pra 270 qendra votimi”, deklaroi Celibashi.

Partia Socialiste konfirmohet si forcë e parë politike në Shqipëri me 48.7% të votave ose 74 deputetë, e pasuar nga Partia Demokratike me 39.4% të votave ose 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim me 6.85% të votave të vlefshme ose 4 mandate, si dhe Partia Socialdemokrate me 2.24% ose 3 mandate.

“PSD ka marrë 2.24% të votave ose 3 mandate, Partia Balli Kombëtar ka marrë 0.13% ose 0 mandate, Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare 0.30% votave ose 0 mandate, Partia Bindja Demokratike 0.53% ose 0 mandate, Aleanca Bashkimi Popullor Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët 0.09% ose 0 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 6.85% të votave të vlefshme 4 mandate, Partia Nisma Thurje ka marrë 0.64% të votave 0 mandate, Partia Lëvizja e Re 0.24% të votave të vlefshme 0 mandate, Partia Demokratike, Aleanca për Ndryshim koalicioni ka marrë 39.4% të votave baras me 59 mandate, Partia Aleanca Demokracia e Re 0.20% të votave dhe 0 mandate, Partia Lëvizja Për Ndryshim 0.45% të votave dhe 0 mandate dhe Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 48.7% të votave dhe 74 mandate”, deklaroi Celibashi.

Kandidatët e pavarur të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje si Boiken Abazi, Iliaz Shehi, Kreshnik Merxhani nuk kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.
“Kandidatët e mbështetur nga zgjedhësit: Boikën Abazi, 0.17% ose 0 mandate. Votat e mbështetësve nga zgjedhësit nuk janë vota në rang vendi por në qarqet ku ata kanë kandiduar. Elton Debreshi 0.04% të votave dhe 0 mandate, Iliaz Shehi 0.03% të votave dhe 0 mandate, Kreshnik Merxhani 0.01% të votave, nuk ka marrë mandat, Pal Shkambi 0.01% të votave dhe nuk ka marrë mandat”, vijoi Celibashi.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka udhëzuar që për ato KZAZ që kanë përfunduar numërimin e votave për subjektet zgjedhore, të fillojnë numërimin për kandidatët nesër, më 28 prill në orën 9:00. Në ato KZAZ ku ka filluar, ose pritet të fillojë numërimi i votave për kandidatët, numërimi do të vazhdojë sot deri në orën 24:00 dhe do të rifillojë nesër në orën 9:00