Nga nesër do fillojnë të punojnë lokalet dhe restorantet, por vetëm në ambientet e jashtme


Qeveria miratoi lehtësimin e masave kufizuese duke shkurtuar për një orë ndalesën e lëvizjes së lirë dhe duke lejuar hapjen e tarracave të objekteve gastronomike. Me vendim të ekzekutivit, nga nesër ora policore do të jetë nga 21 deri në 5 të mëngjesit. Ambientet e hapura të restoranteve e kafeneve do të mund të punojnë me gjysmë kapaciteti deri në ora 20:30, por duke respektuar distancën mes klientëve.

Qeveria e RMV-së
“Bizneset e gastronomisë të regjistruara si restorantet për ahengje familjare do të mund të organizojnë punën e tyre sikur restorante ditore vetëm në hapësirat e çelura, përkatësisht nëpër tarraca. Kurse mbetet në fuqi ndalimi i organizimit të dasmave, ditëlindjeve, pagëzimeve, e të tjerë, në ato hapësira”.
Në vigjilje të festave fetare, Qeveria vendosi që nga një natë, për Pashkë dhe Bajram fare të mos ketë orë policore. Por, bëjnë thirrje në respektimin e masave si distanca, maskat dhe dezinfektuesit.

Qeveria e RMV-së
“Për festën e Pashkëve, përkatësisht natën ndërmjet 1 dhe 2 majit nuk do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve. E njëjta masë do të jetë edhe për Festën e Bajramit, gjegjësisht natën ndërmjet 13-14 majit.”
Ndërsa ekzekutivi dha dritë jeshile, në terren objektet bëjnë përgatitjet e fundit për të filluar që nesër me punë. Në Çarshinë e vjetër të Shkupit, bizneset e vogla me shërbime për pije dhe ushqim mezi presin që puna të rifillojë. Por nuk mungojnë ankesat për dëmet e tyre.

Pronar kafeneje
“Dë*met i kemi pasur të dyfishta, një herë para 7-8 muajve kur na mbyllën tre muaj dhe tani ishte go*ditja e fundit që na shkaktoi dëm të madh financiar neve pronarëve të kafeterive.”
Deri në ora 20:30 do të punojnë baret e restorantet edhe gjatë natës së Pashkëve dhe ditës së Bajramit kur nuk do të ketë orë policore. Por, disa pronarë shprehin mirëkuptim për masat për shëndetin publik.

Pronar restoranti
“Dë*me të mëdha iu janë bërë të gjithëve, jo vetëm gastronomeve për të gjithë sistemit sepse askush nuk është imun ndaj kësaj situate, të gjithë i vuajmë pasojat, si pensionistët, bizneset e tjera, ashtu edhe shëndetësia me që kjo situatë e jashtëzakonshme është në gjithë botën.”

Ndalesa e deritanishme ishte në fuqi që nga 7 prilli. Për 20 ditë bizneset e gastronomisë kanë funksionuar vetëm me sistem sporteli, pasi që autoritetet shëndetësore patën konstatuar se këto objekte janë ndër shpërndarësit më të mëdhenj të infeksionit nga virusi korona. Përgjatë kohës që ishin të mbyllur janë kompensuar me subvencione nga shteti në bazë të të ardhurave të deklaruara pre tyre.