Vdes princesha naziste, Gudrun Burwitz, vajza e arkitektit të Holokaustit, Heinrich Himmler


Gudrun Burwitz, vajza e Heinrich Himmler-it arkitekti i Holokaustit dhe funksionari i rangut më të lartë të Gjermanisë naziste pas Adolf Hitlerit vdiq në 24 maj 2018 në afërsi të Mynihut në moshën 88 vjeçare. Vdekja e saj u raportua për herë të parë nga gazeta gjermane Bild që gjithashtu konfirmoi se Burwitz kishte punuar për dy vite në agjencinë e inteligjencës së huaj të Gjermanisë Perëndimore.

Historiani dhe shefi i agjencisë, Bodo Hechelhammer konfirmoi për gazetën se Burwitz kishte zënë vendin e sekretares nën një emër fals në fillim të viteve 60.

Ky organizëm nuk bën komente për nënpunësit aktualë ose të kaluar, vetëm nëse kanë vdekur. Mbështetësit dhe kritikët e quanin Burwitz princesha naziste, e cila mbeti e papenduar dhe besnike ndaj babait të saj deri në fund. Edhe pse ka vizituar një kamp përqendrim ka mohuar ekzistencën e Holokaustit dhe në vitet e fundit ka ndihmuar me para dhe mbështetje ish nazistët e dënuar dhe të dyshuar për krime lufte. Në momentin e lindjes së saj në 1929 i ati po konsolidonte pushtetin e tij si lider i trupave elitë paramilitare naziste të njohur si SS.

Himleri komandoi policinë sekrete gjermane, Gestapon dhe vendosi sistemin e burgut dhe kampet e përqendrimit tek të cilët do të zhdukeshin më shumë se 6 milionë njerëz, kryesisht hebrenj, por edhe romë, homoseksualë dhe persona të tjerë.

I vetmi person që e tejkalonte në hierarkinë naziste ishte Hitleri. Gudrun ishte vajza e madhe e Himlerit dhe vajza e vetme e ligjshme që i ishte përkushtuar plotësisht të atit. Më vonë Himleri dhe bashkëshortja e tij adoptuan një djalë dhe më pas ai pati 2 djem të tij më dashnoren e vet.

Në vitet 30 dhe në fillim të viteve 40 Himleri me syzet e tij dhe me një pamje mediokre e shijonte praninë e Gudrun-it pranë vetes si një simbol bjond me sy bojëqielli përpara rinisë ariane. Në një gazetë që më vonë u konfiskua nga autoritetet aleate u publikua se vajzës i pëlqente të shihte refleksin e saj në çizmet e të atit. Mori pjesë në festat e Krishtlindjeve me Hitlerin, i cili i dhuronte kukulla dhe çokollata.

Kur ishte 12 vjeç Gudrun shoqëroi të atin në kampin e përqendrimit në Daçu, i cili ishte vendi i eksperimenteve mjeksore naziste dhe ekzekutimit të dhjetra mijëra njerëzve. Gudrun e kujtonte në ditar kështu vizitën e saj: “Sot ishim në kampin e përqendrimit të SS në Daçu. Pamë sa mundëm. Pamë punën e kopshtarisë, pamë dardhat, pamë të gjitha pikturat e bëra nga të burgosurit. E mrekullueshme! Më vonë hëngrëm shumë, ishte shumë e shijshme.” Kur Rajhu i Tretë ra në vitin 1945, Gudrun ishte 15 vjeçe dhe bashkë me nënën e saj u arratisën në veri të Italisë ku u arrestuan nga trupat amerikane. Himleri u kap nga forcat ruse në 20 maj 1945 dhe u trasferua tek autoritetet britanike.

Tri ditë më vonë u vetëvra duke gëlltitur një pilulë cianuri që e kishte fshehur. Gudrun dhe e ëma u mbajtën të burgosura për 4 vite dhe në disa qendra të mbikqyrjes në Itali, Francë dhe Gjermani. Ajo e mohonte vetëvrasjen e të atit dhe pohonte se e kishin vrarë britanikët. Ishte prezente në disa gjygje për krime lufte të lidhura me të atin në Nuremberg. –Ajo nuk qau, por filloi një grevë urie, – shkruante Nortert dhe Stephen Lebert në “Roja i tim ati” më librin e tyre në 2002 mbi fëmijët e udhëheqësve nazistë. – Humbi në peshë dhe nuk u rrit. Pas lirimit nënë e bijë u vendosën në qytetin e Bielefeld në veri të Gjermanisë, ku Gudrun u trajnua si rrobaqepëse, e pati të vështirë të mbante një punë të qëndrueshme për shkak të historisë së saj familjare.

Në vitin 1961 iu bashkua shërbimeve të inteligjencës gjermane si sekretare nën një emër fals dhe punoi në qendrën në afërsi të Mynihut. U pushua në 1963 kur autoritetet e Gjermanisë Perëndimore rishikuan prezencën e ish nazistes në qeveri. Në fund të vitetve 60 u martua me Wulf-Dieter Burwitz, një shkrimtar që u kthye në një zyrtar të një grupi politik të së djathtës dhe u vendos në një rrethinë të Mynihut. Patën 2 djem. Përveç një interviste të shkurtër të dhënë në 1959 nuk dihet të ketë folur në publik për të atin apo edhe për jetën e kaluar. E megjithatë mbante gjithmonë veshur një karficë argjendi që ia kishte dhuruar i ati që kishte 4 koka kuajsh të vendosur në formën e svastikës.

Njihet për aktivizmin e saj në një grup të quajtur “Stille Hilfe”, ose ndihma e heshtur që u formua në vitet 40 për të ndihmuar nazistët të arratiseshin nga Gjermania, sidomos në Amerikën Latine dhe për të mbajtur familjet e tyre. -Organizata është e lidhur ngushtë me disa lëvizje neonaziste që promovon revizionizmin; nocionin se Holokausti nuk ka ndodhur kurrë dhe se çifutët provokuan vetë rrënimin e tyre, – komentoi Andrea Roepke një autoritet gjerman mbi neonazistët gjatë një interviste në “Daily Mail” në 1998. – Mes mbështetësve të grupit Burwitz ishte një princeshë naziste, një perëndi mes atyre besimtarëve të kohërave të vjetra, – thoshte autori gjerman, Oliver Schrom që shkroi një libër mbi “Stille Hilfe”.

Burwitz merrte pjesë në mbledhjet sekrete të oficerëve nazistë të SS-ve, shumë shpesh në Austri, ka të ngjarë që të ketë qenë në vitin 2014 në një nga mbledhjet e fundit. “Gjithë jetën ka qenë rrethuar nga ish njerëz të rangut të lartë të SS-ve, – tha Roepke pasi kishte marrë pjesë në një prej këtyre mbledhjeve. Ajo mbështette përmes “Stille Hilfe” kriminelët e luftës të dënuar duke përfshirë Klaus Barbie një officer i SS-ve i njohur si “kasapi i Lionit” dhe Anton Maloth i njohur si “Toni i bukur” që u shpall fajtor për vrasjen e të burgosurve në kampin e përqendrimit nëTheresienstadt.

Malloth u dënua me vdekje në mungesë nga gjykata e Republikës Çeke, por dihet se ajo ndihmoi të organizonte një rezidencë për të moshuar jashtë Mynihut në një terren pronë e një oficeri nazist, Rudolf Hess. “Nuk flas kurrë për punën time, – tha ajo në vitin 2015 kur një gazetar britanik, Allan Hall u përball me të në shtëpinë e saj. – vetëm bëj atë që mundem dhe kur mundem. – Ikni!- u shpreh i shoqi. – Nuk jeni i mirëpritur. /Bota.al