Maqedoni: 80 mijë ankesa për të drejtat e punëtorëve

80 mijë ankesa për shkeljen e të drejtave të punëtorëve kanë arritur në adresën e Lidhjes së sindikatave. Ankesat janë për paga të papaguara, largime nga puna me procedurë joadekuate, pagesa në kuadër të pagës minimale.
Kryetari i Lidhjes, Darko Dimovski tha se për shumicën e rasteve kanë ndërhyrë, ndërsa kanë kontaktuar edhe me punëdhënësit që i kanë shkelur të drejtat e punëtorëve.

“Shumica e këtyre rasteve i kemi zgjidhur, disa nuk deshën që të na dëgjonin, dhe ngritëm procedura gjyqësore, ndërsa për të tjerët iu drejtuam Inspektoratit shtetëror të punës. Po veprohet, rregullisht marrim informacione nga Inspektorati shtetëror i punës se ku janë dhënë vendime, ku janë paguar gjoba dhe pjesa më e madhe e punëtorëve me ato vendimet janë kthyer, ndërsa atje ku nuk janë kthyer, LSM-ja u mundëson ndihmë falas juridike”, u shpreh Darko Dimovski – kryetar i LSM-së.
Nga Inspektorati shtetëror i punës thonë se përveç në ueb faqen dhe call qendrën, parashtresa arrijnë edhe në arkivat e reparteve rajonale të Inspektoratit, si dhe në qendrën e Inspektoratit.

“Në periudhën nga janari dhe marsi 2021 kishim bërë 3.738 kontrolle pas dorëzimit të parashtresave nga qytetarët që mendojnë se u është shkelur ndonjë e drejtë nga marrëdhënia pune ose e drejta për mbrojtje dhe siguri në vendin e punës. Përveç këtyre kontrolleve të jashtëzakonshme, kemi 541 mbikëqyrje kontrolluese dhe 267 kontrolle të rregullta që do të thotë se Inspektorati me të vërtetë punon çdo ditë, inspektorët e Inspektoratit shtetëror të punës çdo ditë janë në terren për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, theksoi Jovana Trençevska – drejtoresh e ISHP-së.

Përndryshe, Lidhja e sindikatave të Maqedonisë sot e prezantoi veglën e re mobile për denoncim të shkeljes së të drejtave të punëtorëve. Punëtorët të cilëve u janë shkelur të drejtat do të mund të denoncojnë këtë përmes aplikacionit të ri mobil ndërsa denoncimet menjëherë i dërgohen Inspektoratit shtetëror të punës. Aplikacioni ofron mundësi edhe për denoncimin e së drejtës së shkelur për veten por edhe për një person tjetër, denoncime anonime, komunikim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit të Lidhjes së sindikatave dhe ndjekje të lajmeve dhe këshillave nga sfera e së drejtës së punës, përkatësisht të mos shkelen të drejtat e punëtorëve që janë përcaktuar me ligj dhe me marrëveshjen kolektive.