Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë të dhënë së fundmi ka folur rreth zgjedhjeve në Shqipëri që do të zhvillohen më 25 prill. Vuçiq duke u bërë presidenti i parë serb që flet për zgjedhjet në Shqipëri, ka thënë se po i ndjek sondazhet e dhëna, ku sipas tij kundërshtarët politik janë me nga dy përqind larg.
“Unë jam duke ndjekur nga afër hulumtimet e opinionit publik, dhe dallimi është rreth 2 përqind dhe unë nuk përcjell hulumtime pa lidhje jo serioze të hulumtimit publik po ato që janë shumë serioze. Dhe në fakt dallimi është nga 1 në 3 përqind” ka thënë Vuçiq.
Sipas asaj që pretendon Vuçiq, pas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha qëndron ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas Vuçiq, ata flasin për një Shqipëri Etnike dhe ai ndihet krenar që po i pengon.
“Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha dhe ju e dini, e gjithë historia pas saj, nga veriu i Shqipërisë, me gjithë barrën e së kaluarës, por kjo është çështje e tyre. Dhe sigurisht që unë jam krenar që jam pengesa e tyre më e madhe sepse ata flasin hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dhe ata flasin hapur për këtë gjë dhe askush nuk reagon.” ka thënë Vuçiq.
Ai ndër të tjera ka folur rreth letrës të shumë diskutuar ditët e fundit, “non-paper” që pretendohet se ishte dorëzuar në Bruksel presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, nga kryeministri slloven Janez Jansha, e sipas të cilit parashihet që Republika Srpska t’i bashkangjitet Serbisë, kurse Kosova Shqipërisë.
Vuçiq në intervistën e dhënë për emisionin “Fokues” në B92, tha se nuk e ka parë një letër të tillë ndërsa më pas foli për qëndrimin e Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë dhe komuniteti ndërkombëtar.
“Unë nuk mund të pajtohem me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, unë duhet të respektoj integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha Vuçiq.