Ferrari tërësisht elektrik do të jetë gati në vitin 2025

Ferrari i parë elektrik do të dalë në treg në vitin 2025. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i kompanisë italiane, John Elkann.

“Ne po punojmë fuqishëm dhe në mënyrë të disiplinuar për planin tonë të sjelljes së një makine tërësisht elektrike, për të cilin planifikojmë që do të jetë gati pas 4 viteve”, tha Elkann.
Teknologjia për bateritë kërkon studim dhe zhvillim të mëtejshëm dhe po ashtu do të duhet të përgatiten edhe klientët të cilët janë mësuar më një motor të zhurmshëm dhe jo një makinë që lëviz në qetësi.

Vitin e kaluar, Ferrari prezantoi një tjetër mrekulli motorike, “SF90 Spider”, versionin e konvertueshëm të hibridit të saj “SF90 Stradale”. Kjo makinë ka specifika të ngjashme me modelin e nxjerrë në treg në vitin 2019, me një motor me djegie me 8 cilindra dhe 780 kuaj fuqi, të integruar në dy motorë elektrik të montuar në pjesën e përparme. Me shpejtësi maksimale prej 340 km/orë, hibridi SF90,mund të ecë për 25 km, duke përdorur energjinë elektrike, çka bën që mjeti të kalojë në zonat e banuara përmes qyteteve në qetësi dhe pa emetuar gazra.