Ministri i Shëndetësisë në paraqitjen e tij të sotme në Qendrën për Vaksinim Masiv në Shkup tha se gjatë këtij muaji pritet të arrijnë disa lloje të vaksinave kundër Covid-19. Filipçe dha datë konkrete për arritjen e vaksinave Pfizer nga kontrata direkte.
“Nga kompania Pfizer përmes marrëveshjes sonë direkte me datë 19 dhe 26 prill do të vijnë nga 10 mijë doza. Kisha takim me ambasadorin e Kinës, kemi informacione që pjesa administrative atje është përshpejtuar. Presim informacione nga Ambasada e Rusisë për doza shtesë të vaksinës Sputnik. Deri në fund të muajit duhet të arrijnë edhe 76 mijë doza të vaksinës AstraZeneca”, tha mes tjerash ministri Filipçe, duke theksuar se sasia më e madhe e vaksinave pritet të vjen nga Kina, respektivisht rreth 200 mijë doza.