Këngëtarja e njohur shqiptare i është rikthyer pas një kohe të gjatë konkurrimit në festivalin “Kënga Magjike”.
Pas një konkurrimi të ndërprerë dy vite më parë, Linda u rikthye dy vjet më vonë në këtë festival me një këngë të punuar nga Florent Boshnjaku, të titulluar “Pa t’pa”.
Ndërkohë, përderisa ndodhej në Tiranë për konkurrimin, ajo ka qenë prezentë edhe në disa prej intervistave në emisionet në Shqipëri, ku ka rrëfyer mbi jetën dhe karrierën e saj në përgjithësi.
Në emisionin “Soiree”, këngëtarja me prejardhje nga Vitia ka treguar se si e njohur për herë të parë bashkëshortin e saj, reperin Big D, emri i vërtetë i të cilit është Davo Edwards, me të cilin për rastësi kanë punuar dikur në të njëjtin vend, në Kampin Bondsteel në Ferizaj, ndonëse nuk ishin takuar aty.
“Big D ka punuar edhe ai në kampin Bondsteel. Nuk është se e kam takuar gjatë kohës kur punoja unë aty. Ai ka ardhur në një koncert, isha në Ferizaj, sepse po bënte edhe ai muzikë, kështu si shaka kishte filluar të bënte rap. Dhe pastaj deshi të bëjë një duet, sepse kishte dëgjuar që ishte një këngëtare e re, që është mirë të bënte një bashkëpunim. Gjasme për duet, por ai kishte pasur tjera qëllime. Pastaj pas gjashtë ose shtatë muajsh më ka dhënë puthjen e parë”, ka treguar Linda.
Duke kurorëzuar dashurinë e saj me një të huaj, Halimi thotë se u përball me paragjykime të shumta dhe se u desh të kalonte përmes rrugës së stigmës.
Ajo thotë se ka ende familjarë të saj në Viti, që nuk i flasin pas zgjedhjes që ajo bëri në jetë.
“Kisha shumë frikë t’ju tregoja prindërve më së pari, sepse ishim vend i vogël, vend konservativ, vajzat akoma jepeshin ende me mblesëri, s’e njihnin as burrin. Babi më tha: ‘Unë e kam ditur këtë histori, sepse dikush që e ke vetëm mik nuk vjen me të marrë ty në lokal në orën 10 të natës në darkë, nuk del me miq në darkë deri në 3:00 të mëngjesit, sepse unë i kam kaluar këto kohë por bëhesha sikur nuk dija deri sa të më tregosh ti vet’. E them pa turp që kam edhe familjarë më të largët të cilët akoma nuk më flasin, sepse nuk e perceptojnë, sepse ideja e tyre ka qenë që ‘kur ti martohesh, prezanton familjen, e ti na ke keqpezantuar d.m.th’.
Mirëpo secili ka jetën e vet, te gjithë janë te martuar, shpresoj që kanë me qenë të lumtur dhe kaq ka rëndësi, në fund të fundit, unë do të jetoj me të”, ka thënë këngëtarja e njohur.
Linda përndryshe është larguar nga Kosova dhe është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej më shumë se një dekade.