Kryeministri Zoran Zaev, pas takimit të sotëm me liderët opozitarë shqiptarë, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi është shprehur optimist që do të zhbllokohet Kuvendi.
Por, shton se kjo varet edhe nga VMRO-DPMNE-ja.
“Pres që kjo do të ndikojë në zhbllokimin e amendamenteve të pakos së 5 ekonomike, e cila sigurisht nuk varet vetëm nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e Qeveria, por varet edhe nga VMRO-DPMNE-ja”, tha Zaevi.
I pyetur se a pritet që Sela dhe Gashi të tërheqin amendamentet për pakon e 5 ekonomike pas takimit të sotëm, Zaevi tha:
“Sa i takon ASH dhe AAA-së, ata do ta thonë qëndrimin e tyre, por me shumë gjasë kjo do të varet edhe nga koordinimi i tyre me VMRO-DPMNE-në dhe “E majta””, tha Zaevi.
Megjithatë, shtoi se zhbllokimi i pakos së 5 ekonomike, pret të ndodh “sot, nesër dhe pasnesër” dhe shprehu besimin se kjo do të ndodh.