Më 1 Korrik 2018 Austria merr presidencën e BE-së dhe me këtë për herë të parë e ka kryesinë një koalicion populistësh të djathtë në Bashkimin Europian. Migrimi do të jetë tema qendrore e kësaj presidence.
Grindja për një politikë të përbashkët migrimi në BE nuk ka marrë fund. Madje në Gjermani qeveria ndodhet para një krize, shtetet e Vishegradit vazhdojnë kursin e konfrontimit me BE, Italia mbyll portet për anijet me refugjatët e shpëtuar në det. Në samitin e BE-së u arrit me mundim një ujdi që të mbrohen më mirë kufijtë e jashtëm të BE. Çështja, se si do të shpërndahen migrantët mbeti pa përgjigje në samit.
Pikërisht në këto kohë, Austria merr presidencën e radhës në BE. Një vend që në çështjen e migracionit, nuk ka treguar shumë gatishmëri për kompromis. Kancelari i partisë konservatore, ÖVP qeveris në Vjenë bashkë me partinë populiste, armiqësore ndaj të huajve, FPÖ.
Konsensus për mbrojtjen e kufijve të jashtëm
„Besoj se njerëzit kanë të drejtë që janë ngopur duke dëgjuar gjithmonë të flitet për migrimin në nivel europian dhe të mos ndodhë faktikisht asgjë”, tha para pak ditësh, kancelari Kurz. Presidenca austriake gjashtëmujore zhvillohet nën moton: „Një Europë që mbron.” Kreu i qeverisë austriake kërkon me këtë moto të reduktojë imigrimin në të gjitha itineraret. Vendimi i fundit i BE për të ndërtuar kampe në Afrikën e Veriut për migrantët e shpëtuar në det, është për kreun e qeverisë austriake drejtimi i duhur.
Sepse mbylla është ndërkohë një qëllim i përbashkët, thotë Sebastian Kurz. Një zhvillim pozitiv për të. „Në vitin 2015 nuk ishte kështu”, thotë ai. Austria kërkon përmirësimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE dhe një zgjerim masiv të Frontex-it. Komisioni Europian do të shtojë personelin e kësaj agjencie me 10.000 vetë deri në vitin 2027. Për Austrinë e vende të tjera duhet vepruar më shpejt. Sepse edhe rritja e fundit e personelit me 1500 vetë ende nuk ka përfundur. Vendet e BE ofrojnë me shumë hezitim policë në dispozicion për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së.
Saskia Stachowitsch, drejtuese e Institutit për Politikën Ndërkombëtare në Vjenë e sheh si jo realiste rritjen e numrit me roje kufitare të Frontex-it. „Duke e ditur, se sa e vështirë ishte rritja e numrit të personelit të Frontex, nuk e besoj se kjo ka për të qenë e lehtë.”
Austria si ndërmjetësuese?
Ujdia megjithatë mungon në çështjen se çfarë ndodh me migrantët që ndërkohë po qëndrojnë në BE. Qeveria në Romë kërkon prej vitesh që refugjatët e njohur në Itali të shpërndahen në vende të tjera të BE-së. Sllovenia dhe Hungaria u ankuan pa sukses kundër një vendimi të BE nga viti 2015, megjithatë gati nuk kanë pranuar asnjë refugjat. As Austria nuk e ka përmbushur kuotën e saj.
“Një presidencë ka detyrën të bashkojë pozicione fundamentale”, tha ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn në Deutschlandfunk. „Nuk mendoj se është mirë, nuk është europiane, që presidenca austriake të fiksohet me të gjitha mjetet në anën e shteteve të Vishegradit. Sipas Asselborn pa një shpërndarje të drejtë të migrantëve brenda Europës nuk ka për t’u zgjidhur grindja për migrimin.
Kancelari Sebastian Kurz theksoi para marrjes së presidencës se Vjena synon të luajë një rol ndërmjetësues mes fronteve të ashpërsuara dhe të kenë funksionin e një ure lidhëse. Mbetet të pritet nëse Austria ia del brenda gjashtë muajve të kalojë në plan të dytë pozicionin e saj tashmë shumë të qartë, thotë Janis Emmanouilidis, drejtori i Institutit „European Policy Centre” në Bruksel.
Dy fronte, pak kohë: Buxheti i BE dhe Brexit
Një temë tjetër ku Austria kërkohet si ndërmjetësuese është edhe negociimi i buxhetit europian shtatëvjeçar. Buxheti financiar 2021-2027 është i pari që bëhet pa Britaninë e Madhe. Për të kompensuar largimin e Britanisë së Madhe do të duhet të rriten kuotat e paguesve neto në BE. Kancelari Kurz i refuzon këto kuota si „të papranueshme” dhe kërkoi „negociata të gjata dhe të vështira”. Politologu Janis Emmanouilidis shprehet se disa shtete europiane, si Gjermania kërkojnë kompromis të shpejtë, para zgjedhjeve europiane vitin e ardhshëm.
Gjatë presidencës austriake zhvillohet edhe faza e fundit e negociatave për Brexit që duhet të mbyllen këtë vit, me qëllim që Britania e Madhe të largohet në fillim të vitit 2019 me një marrëveshje me BE. Nuk dihet, nëse kjo do të arrihet. Disa pika të rëndësishme, si kontrollet kufitare mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës nuk janë zgjidhur ende. Po ashtu nuk dihet nëse Britania e Madhe do të mbesë pjesë e tregut të brendshëm europian. Presidenca austriake duhet të ndërmjetësojë, që mes vendeve të BE të arrihet një kompromis, me qëllim të përmbylljes së shpejtë të bisedimeve.