Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajiip Erdogan, ka uruar Vjosa Osmanin për detyrën e re që ka marrë si Presidente e Kosovës.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Erdogan bën me dije se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Osmanin, teksa shkruan se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës do të forcohen.
Presidenti turk, bëri me dije më tej se me Osmanin, kanë diskutuar për çështjet rajonale duke shtuar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë ka kontribuar në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit.
“Sot pata një telefonatë me presidenten e re të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, të cilën e urova për zgjedhjen e saj në krye të shtetit. Në këtë telefonatë, diskutuam për çështjet rajonale.
Unë shpreha qëndrimin konstruktiv të komunitetit turk, pjesë e pandashme e strukturës multikulturore të Kosovës në procesin e qeverisë së re dhe zgjedhjet presidenciale.
Gjithashtu, unë shpreha bindjen time se miqësitë historike dhe marrëdhëniet vëllazërore do të forcohen edhe në periudhën e re të Kosovës. Në bisedën tonë, unë deklarova se bashkëpunimi i shumanshëm midis vendeve tona ka kontribuuar në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit”, ka shkruar Erdogani në Facebook.
Osmani mori detyrën e presidentes së Kosovës në seancën e mbajtur të dielën, duke marrë 71 vota në rundin e tretë.