Tani, edhe Christoph Blocher i është bashkëngjitur gjithashtu debatit për shqiponjën dykrenare. Edhe pse i mbron lojtarët, ata, sipas tij nuk janë zviceranë të vërtetë.
Vështirë se ekziston ndonjë politikan që ende nuk e ka komentuar gjestin e diskutueshëm të shqiponjës dykrenare në Kupën Botërore, në ndeshjen në mes të Zvicrës kundër Serbisë, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch. Tani edhe “babai” i partisë zvicerane SVP, Christoph Blocher është kyçur në reagim.
Në episodin e fundit të “Teleblocher”, ish këshilltari federal zviceran ka mbrojtur lojtarët e Përfaqësueses zvicerane: “Serbët në skenë nuk silleshin në mënyrë miqësore. Ata pothuajse rregullisht i mbanin jashtë gjuhët e tyre”. Dhe: “Sportistët nuk janë shenjtorë “.
Por, Blocher nuk e arsyeton me të vërtetë gjestin. “Zviceranë apo jo, nuk bëhet gjest i tillë”. Ndërkaq, moderatori Matthias Ackeret i parashtron pyetjen i habitur: “Por, ata janë zviceranë?” Me këtë rast, Blocher në stilin tipik të SVP-së pohon: “Nëse natyralizohen, nuk do të thotë se janë zviceranë. Ata u goditën në zemër, sepse janë edhe shqiptarë”.
Historia nuk duhet të ekzagjerohet, thotë Blocher, i cili në një moment edhe vetë e bën shqiponjën, duke ilustruar me gjeste atë që u pa në fushën e futbollit. “Që të dyja palët fryen në zjarr dhe bënë diçka që nuk duhet ta bëjnë, por kjo ekziston në të gjithë botën. Ata nuk vranë askënd”.