Ibrahimovic flet pas ndeshjes me Kosovën: Do t’ju ndihmoj të afroheni me rekordin tim


Zlatan Ibrahimovic është deklaruar pas ndeshjes që Suedia e fitoi 3-0 ndaj Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.
Përfaqësuesja jonë bëri disa gabim në mbrojtje, nga aty ku përfituan suedezët, duke na ndëshkuar tre herë.

Ibrahimovic pas ndeshjes ka thënë se ishte një ndeshje e vështirë, mirëpo që krijuan disa aksione të bukura.
“Ndihesha shumë më mirë sot në të vërtetë, është sikurse thashë: sa më shumë ditë kalojnë, aq më shumë njiheni me djemtë brenda dhe jashtë fushës. Sot, loja funksionoi më mirë në përgjithësi, jo vetëm unë dhe Isak”, ka thënë sulmuesi i Milanit.

“Ne pamë shumë sulme të bukura, ku krijuam shumë raste të mira. Ne patëm shanse të mira për të shënuar më shumë gola, por arritëm të fitonim”.
“Ishte një ndeshje e mirë dhe një ndeshje e vështirë. Unë u kam thënë bashkëlojtarëve që kam shënuar golat e mi. Do t’ju ndihmoj të shënoni gola në mënyrë që të afroheni me rekordin tim”, ka përfunduar Ibrahimovic në formë shakaje.
Suedia është lider i Grupit B me gjashtë pikë, Spanja me katër, Greqia me një, Kosova dhe Gjeorgjia ende pa pikë.