Papa Françesku ka përzgjedhur shqiptaren Roza Pati për të shërbyer në dikasterin për mirëqenie njerëzore në Vatikan.
Sipas një njoftimi nga Selia e Shenjtë e Vatikanit, “dikasteri do të jetë kompetent në veçanti për çështjet lidhur me migrantët, njerëzit në nevojë, të sëmurët, të margjinalizuarit, të burgosurit dhe të papunët, si dhe viktimat e luftërave, tragjedive natyrore dhe të gjitha formave të torturës”.
Emërimi i Patit në këtë dikaster u parapri nga emërimi i saj nga Papa Benedikti XVI për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si anëtare e Këshillit për Drejtësi dhe Paqe (2012-2017).
Mbështetja e kauzave për dinjitetin njerëzor e heqja e të gjitha formave të vuajtjeve njerëzore, është pasioni i Patit. E lindur në Shqipëri, Pati ishte rritur në një regjim diktatorial, dhe në një familje katolike. Ishte mes fëmijëve të fundit të pagëzuar, pak kohë para se regjimi t’i ndalonte të gjitha religjionet, t’i mbyllte e shkatërronte faltoret, të burgoste dhe madje ekzekutonte priftërinjtë e pjesën tjetër të klerit.
“Por e kisha një bekim unik: një nënë të jashtëzakonshme, besnike shumë e madhe e Kishës katolike. ajo më mësoi mua dhe dy motrat e mia se si të bënim shenjën e kryqit, si t’i luteshim, si të kërkonim dhe ndiqnim Perëndinë”, ka thënë Pati për uebfaqen e universitetit “St.Thomas”.
Nëna e Patit ishte e bija e një disidenti i cili ishte ekzekutuar arbitrarisht. Megjithëkëtë, ajo ishte mjaftueshëm e guximshme për t’i vënë Rozën dhe motrat e saj në shtegun e besimit katolik dhe i këshilloi që të mos ndaleshin kurrë në shërbimin karshi Zotit.
Pati kishte shërbyer edhe në Parlamentin e Shqipërisë. Ajo ishte edhe pjesë e Sekretarit të Shtetit për të Rinjtë dhe Gratë. Ishte pikërisht ajo kohë kur ajo mësoi për raportimet për Shqipërinë si shtet origjinë për trafikun njerëzor. Shumica e viktimave trafikoheshin drejt Italisë dhe shteteve të tjera të Evropës Perëndimore. Pati kishte thënë e një prift italian ishte i pari që e kishte drejtuar për t’u munduar të zgjidhte problemin e trafikimit.