Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot akuzoi se opozita po e keqpërdor gjendjen shëndetësore të deputetëve, në kushte të Kovid-19, dhe se para tij vendosen propozime përfundimtare që nuk mund t’i pranojë.
Xhaferi në konferencë për shtyp, të cilën e thirri pas ndërprerjes së takimit me koordinatorët e grupeve të deputetëve, tha se dy deputetë nga shumica për arsye shëndetësore u penguan të marrnin pjesë në seancën e nesërme të 36-të për çka e parashtroi çështjen për kuorum.
Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO DPMNE-së, sipas tij, ka kërkuar që në seancë të shqyrtohen vetëm vazhdimi I gjendjes së krizës dhe tre pikat në lidhje me masat për Kovid-19, dhe jo 26 të tjera. Xhaferi nuk e pranoi atë propozim dhe do të presë deri të enjten, kur pret që një nga deputetët të dalë nga izolimi për shkak të Kovid-19.