Vështirësitë e mëdha që shkaktoi pandemia për biznesin dhe afaristët, ulja e qarkullimit, problemet me likuiditetin apo disponimin me para të gatshme kanë ndikuar ndër të tjerash edhe në mbylljen e bizneseve në vend.
Sipas të dhënave të Regjistrit Qendror, vitin e kaluar janë mbyllur mbi 6200 kompani. Nga Regjistri Qendror thonë se shifrat e hapjes dhe mbylljes së bizneseve, sipas të dhënave kompetente të tyre, janë në mesataren e viteve të kaluara.
Pjesa më e madhe janë mbyllur me detyrë zyrtare, apo për shkak të mosdorëzimit të llogarive vjetore dhe raporteve financiare, 500 kompani kanë falimentuar, ndërsa 1200 kompani janë mbyllur me kërkesën e pronarëve të tyre. Afaristët thonë se shumica apo 80 për qind e bizneseve që nuk janë më aktive, janë biznese të vogla që kanë punësuar deri 10 punëtorë në sektorin e tregtisë, gastronomisë… Nga ana tjetër, janë hapur edhe 7077 biznese të reja që është në mesataren e viteve të kaluara.
Statistika më tej udhëzon se në vitin 2017, janë fshirë plot 10.628 kompani, në vitin 2018 janë fshirë 6864 kompani dhe në vitin 2019 – janë mbyllur 7234 kompani.
“Përkundër asaj se viti i kaluar shkaktoi vështirësi të mëdha si rrjedhojë e pandemisë, megjithatë të dhënat zyrtare të Regjistrit Qendror, si të vetmin organ me të dhëna të rëndësishme dhe relevante që posedon edhe bazën e të dhënave, udhëzojnë se vitin e kaluar, megjithatë kemi një mesatare si të mbylljes ashtu dhe të hapjes së bizneseve të ngjashme me atë të viteve të kaluara”, thonë nga Regjistri Qendror.
Përderisa kriza për disa biznese ka qenë e pamëshirshme për punën e tyre, nga ana tjetër disa veprimtari kanë shënuar rritjen e punës së tyre si tregtia onlajn që ka shënuar rritje prej gati 140 për qind. Në kohë krize, bankat dhe kompanitë e sigurimeve, prodhimi dhe tregtia me ilaçe, një pjesë e spitaleve dhe laboratorëve privat – kanë treguar rezultate pozitive financiare. Nuk ka dalë keq nga kjo krizë e madhe ekonomike edhe prodhimtaria bujqësore dhe ajo e ushqimit, që shënon rënien më të vogël të eksportit.
Mbyllja e ekonomive evropiane si Gjermania dhe Italia ku eksportojnë fabrikat që punojnë për gjigandët e prodhimit të veturave, si dhe fabrikat e tekstilit dhe këpucëve – ka ndikuar në uljen edhe të porosive dhe të eksportit në vitin e kaluar. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, transporti dhe magazinimi, hoteleria dhe gastronomia kanë afër 22 për qind pjesëmarrje në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit dhe janë ndër sektorët më të go*ditur nga pandemia që shënojnë edhe dhe uljen e kërkesës për shërbimet e tyre.
Edhe fabrikat apo industria me afër 16 për qind janë mjaft të prekura nga pandemia dhe rënia e kërkesës për prodhimet e tyre. Andaj vlerësohet se edhe masat ekonomike duhej më shumë të ndihmojnë këto sektorë, ruajtjen e vendeve të punës dhe të sigurohen ndihma e vazhdueshme o me qëllim që ato të mos mbyllen.
Kohë më parë, numri një i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, theksoi shteti ndihmoi ato që kishte mundësi të ndihmonte dhe ruajti strukturën e biznesit, por sipas tij, momenti kritik do të paraqitet kur do të ndalet ndihma e saj.
“Me rëndësi është që si shtet – të vendosim se a do të mbrojmë vendet e punës apo punëtorët. Gjithashtu, do të duhet të përkrahim ndërmjet 300 dhe 500 kompani të suksesshme me një fond të veçantë të bazuar në inovacione, investime dhe teknologji të reja që do të ndryshojë edhe strukturën e ekonomisë vendore.
Mbetet edhe të gjejmë tregje të reja dhe të shpërndajmë eksportin për shkak se nuk mund të mbesim në situatën ekzistuese, kur 80 për qind e eksportit shkon në Bashkimin Evropian, ndërsa prej këtij eksporti – 70 për qind shkojnë në Gjermani, dhe prej këtij eksporti, mbi 50 për qind i takon vetëm një kompanie”, konstaton Azeski.
Ai vlerëson më tej se është e kuptueshme dhe e qartë se në dhjetë vitet e ardhshme – nuk mund presin ndonjë përparim më të madh në aspektin ekonomik, për shkak se kriza do të rrisë borxhin publik tek ne dhe në shtetet e rajonit që i kemi partnerë tregtar, dhe askush nuk ka një shkop magjik që të zgjidh krizën dhe të premtojë zgjidhjen e saj në vitin 2024 apo 2025. “Andaj nevojitet që kjo periudhë të shfrytëzohet për një ristrukturim të përgjithshëm të ekonomisë, dhe të shqyrtohet se çka do të tërheqë para ekonominë dhe çka do të krijojë vlerë të shtuar”.