Biblioteka e Tetovës, në kushte të mjerueshme


150 mijë tituj në 200 metra katrorë, afër 5 mijë lexues aktiv, rafte të stërmbushura, hapësira shumë të ngushta dhe kushte joadekuate, është pamja që shihet brenda bibliotekës “Koço Racin” në Tetovë. Deri në përfundimin e objektit të ri të Qendrës së Kulturës, ku kjo ajo do të zhvendoset, biblioteka do të mbetet në atë gjendje. Ushtruesi i detyrës drejtor i bibliotekës Mahi Murtezani thotë se madje kanë materiale që s’mund t’i vendosin në përdorim për shkak të mungesës së hapësirave.

“Biblioteka funksionon në kushte minimale për punë. Ne që punojmë këtu dhe lexuesit tanë e dinë se sa kemi pen*gesa në shërbimin e lexuesve, sigurimin e literaturës së re, sigurimin e sallave të leximit, të internetit, shtypit ditor, Gazetës Zyrtare. Këto janë të gjithë sektorë që biblioteka i ka në dispozicion por i kemi reduktuar për shkak të kushteve dhe të hapësirës.”

Në kushte më të mira, Murtezani beson se numri i lexuesve do të ishte disa herë më i lartë. Këto pamje nuk e zbehin interesimin e lexuesve për lexim, i cili, në këtë bibliotekë, është rritur për 20% në kohë pandemie. Në të njëjtat hapësira të vjetra me bibliotekën është edhe Qendra e Kulturës dhe Teatri i Tetovës. Drejtori i sapoemëruar i Qendrës së Kulturës Arlind Huseini thotë se punojnë në hapësira të ngushta, pa kushte dhe pa investime.

“Kemi pasur kërkesa duke filluar që nga kupola lart, ajo rrjedh për momentin. Tani për këtë vit kemi investim t’i themi në thonjëza “kapital” prej 1 milion denarësh. Ajo kupolë nuk bëhet me ato mjete. Katin e tretë e kemi pa rrymë. Tani nuk guxojmë as ta riparojmë rrymën sepse nga kupola rrjedh uji.”

Gurthemeli i objektit të ri u hodh në 2014-ën dhe në fund të vitit të kaluar ka përfunduar ndërtimi por do të duhet edhe disa vite kohë për fazën më të komplikuar, përgatitjen e tërësishme të objektit për punë, instalimin elektrik, sanitar, përgatitjen e sallave, etj. Në programin zgjedhor të B DI-së për vitin 2014, ishte premtuar përfundimi i ndërtimit ose i fazës së parë, në 2016-ën. Pati edhe premtime të tjera, ndër të cilat edhe ai që objekti do të hapej për përdorim në 2017-ën, 2019-ën dhe kështu me radhë.

“Lëshimi zyrtar i këtij objekti do të ndodh në vitin 2019”, – kishte deklaruar për Portalb, Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri. Ai thotë se do të duhen edhe katër vite të tjera që objekti të marrë jetë.
“Buxheti është i garantuar për pesë vitet e ardhshme nga Ministria e Financave dhe besojmë se viti 2021 do të jetë viti kur do të fillojë edhe faza e dytë pasi të fillojë dhe të kryhet edhe procesi i tenderimit edhe për fazën e dytë. Është një objekt mjaft kompleks, më i madhi në rajon që po ndërtohet dhe ne besojmë që brenda vitit 2025 do të jemi gati për ta lëshuar në përdorim.”

Qendra e re e kulturës ishte kryefjala e fushatës së zgjedhjeve lokale në këtë qytet.
“Do ta bëjmë Tetovën qendër të jetës së pasur kulturore dhe arsimore dhe sportive me bibliotekë qyteti dhe qendër studentore, teatër, kinema, muze dhe hapësira të posaçme për rekreacion.”
Plotë tetë vjet pas dhënies së këtij premtimi, pas dy mandatesh në krye të komunës dhe dhjetëra zotimesh të tjera, realiteti është ndryshe.

“Komuna e Tetovës tani nuk deshi të deklarohet për vonesat në ndërtimin e objektit të ri të Qendrës së Kulturës në Tetovë. Kompetencat, thonë ata, janë të Qendrës së Kulturës dhe të Ministrisë së Kulturës. Përveç që ky projekt nuk u përfundua në mandatin e parë të kryetares Teuta Arifi, ashtu siç ishte premtuar në fushatë, nuk u përfundua as në mandatin e dytë të saj.”
11 milionë euro ka kushtuar e gjithë faza e parë e projektit dhe 20 deri 25 milionë euro do të jetë kostoja e fazës së tyre. Objekti në total kap vlerën prej 40 milionë eurove dhe një hapësirë prej 26 mijë metër katrorë.