Kush janë 4 kosovarët e arrestuar sot që planifikonin sulme në Kosovë

Policia e Kosovës, në bashkëpunim më AKI’në, ka arrestuar të premten pjesën tjetër të grupit të kosovarëve që në bashkëkoordinim po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë dhe në vendet e Perëndimit. Express sjell emrat e të arrestuarve, historitë e mëhershme kriminale, planet e tyre për sulme terroriste dhe rrëfimin e prindit e njërit prej të dyshuarve.

Bujar Behrami, katër vjet pasi dështoi që bashkë me gjashtë persona të tjerë të sulmojë më armë policinë e Kosovës, një veprim të ngjashëm ka dashur të përsërisë gjatë këtyre ditëve ndaj institucioneve kosovare dhe hapësirave publike të frekuentuara nga njerëzit.

Por, Behrami, i cili në vitin 2014 u la i lirë për t’u larguar në Gjermani, u kap atje të premten. Këtë herë nga autoritetet gjermane, me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar serish nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në të njëjtën kohë kur po arrestohej Behrami në Gjermani, Policia e Kosovës ishte në aksion në dy qytete të ndryshme në Kosovë për të kapur tre bashkëpunëtorë të tij.

Resim Kastrati dhe Albert Ademaj, të dy nga Prizreni, bashkë me Leutrim Musliun nga Skenderaj, u arrestuan të premten në mëngjes, pasi dyshohen se nën urdhërat e Behramit po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë. Cak të sulmeve dyshohen se kishin hapësirat publike dhe institucionet qendrore në vend.

Behrami dyshohet se planifikonte të kryente, në të njëjtën kohë, veprim të ngjashëm terrorist në Gjermani, shkruan Gazeta Express.

Sikurse Bujar Behrami, edhe 24 vjeçari Musliu, 26 vjeçari Kastrati dhe 30 vjeçari Ademaj janë emra të njohur për autoritetet e sigurisë në vend dhe ato ndërkombëtare.

E kaluara terroriste e të arrestuarve

Leutrim Musliu, vetëm pak muaj më parë u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në rastin e njohur si “Izraeli” të grupit që në vitin 2016 planifikuan hedhjen në erë, në Shkodër, të lojtarëve dhe tifozëve të kombëtares izraelite të futbollit.

Derisa, Bujar Behrami në janar të vitit 2014 ishte arrestuar si pjesë e grupit të dyshuar terroristë të cilët ishin kapur në flagrancë duke blerë armë me të cilat synon marrjen në kontroll të një prej stacioneve të Policisë së Kosovës. Por, vetëm pak muaj pas Behrami ishte liruar, derisa pjesa tjetër e grupit Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala e Musli Hyseni vazhdojnë të përballën me drejtësinë në Kosovë, në gjyqin për terrorizëm që është pranë përfundimit.

Resim Kastrati, nga Prizreni, ishte dëbuar nga Itali për në Kosovë në janar të 2015’ës. Ai ishte përjashtuar nga shteti italian pasi akuzohej se është ekstremist islamik dhe kishte për qëllim të nisej për xhihad.