Flasin nga LDK: A ka vend për rikthimin e Vjosa Osmanit?

Në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme, Vjosa Osmani u.d. e Presidentes së vendit ka garuar me një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kjo, pasi Osmani u përjashtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Mirëpo, para pak ditësh kur LDK-ja zgjodhi kryetarin e ri, u përmend disa herë rikthimi i mundshëm i Vjosa Osmanit në këtë parti.
Mirëpo, Osmani e ka mohuar se do të merrte një vendim të tillë, pasi sipas saj kjo do të thoshte t’ua kthejë shpinën votuesve të saj, dhe se LDK-ja ka zgjedhur rrugën tjetër.

“Jeta pas 14 shkurti është një realitet i ri politik. 400 mijë qytetarë kanë votuar për bashkimin e forcave tona. E dyta rreth 250 mijë qytetarë kanë votuar që unë të zgjidhem presidente e vendit. Unë s’mund t’ua kthej shpinën të gjithë atyre që votuan për mua e kanë besuar në mua. Të gjithë atyre aktivistëve që kanë punuar kurrë pa ndal. Njerëzit kanë treguar se çfarë duan. Në asnjë rrethanë nuk devijoj nga kjo rrugë që e kanë përcaktuar 400 mijë votues. LDK-ja ka zgjedh rrugë tjetër. Nuk ka kthim mbrapa, nuk është çështje e kthimit në LDK, është çështje e përcaktimit të vullnetit qytetar. Unë nuk e shkeli vullnetin qytetar”, kishte deklaruar Vjosa Osmani.

Mirëpo, këto deklarata kanë ardhur para se të mësohej kryesia e re e LDK-së.
Muaj më parë, Vjosa Osmani u përjashtua nga kryesia e partisë, nga të gjitha organet udhëheqëse.
Vjosa Osmani edhe kur ishte në kryesi dhe njihej si ‘krahu i djathtë’ i liderit të asaj kohe të LDK-së, Isa Mustafës, kishte kundërshtime për vendimet që merrte kjo parti.
Mirëpo, a ka hapësirë ende që Vjosa Osmani të rikthehet në LDK?

Kështu, njerëzit brenda LDK-së kanë bërë të ditur për “Bota sot” nëse Vjosa Osmani mund të rikthehet apo jo.
Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Vlora Limani Hajnuni thotë se nuk pret që Osmani ta lë pozitën e Presidentes për tu kthyer në këtë parti.
“Vjosa Osmani nuk e lë pozitën e Presidentes për tu kthyer në LDK”
“Nuk besoj qe znj. Osmani do heq dorë nga pozita e Presidentes. Rrjedhimisht, duke qenë Presidente nuk mund të jetë pjesë e asnjë partie politike”, vlerësoni zyrtarja e LDK-së.

Ajo tutje thotë se LDK-ja me kryetarin e ri Lumir Abdixhiku, do të jetë e hapur për njerëz të rinj që duan të kontribuojnë në LDK.
“LDK tanimë e ka kryetarin e saj Lumir Abdixhiku, dhe ne do vazhdojmë të jemi të hapur për njerëz të rinj që do kontribuojnë në LDK”, ka deklaruar ish deputetja Vlora Limani Hajnuni, për “Bota sot”.
Kajtazi për Vjosa Osmanin: Do të flasin organet vendimmarrëse
Ndërkaq, ish-deputetja e LDK-së Lirije Kajtazi, ka thënë shkurt se për këtë vendim do të flasin organet vendimmarrëse të kësaj partie.

“Do të flasin organet vendimmarrëse të partisë”, ka deklaruar Lirije Kajtazi për ‘Bota sot’.
Ndryshe, derisa Vjosa Osmani kishte kundërshtuar ish liderin e LDK-së, Isa Mustafa në vendime të rëndësishme, lideri i ri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku kishte një gjuhë më të përafërt me të.
Para se Vjosa Osmani të garonte bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, ishte përmendur mundësia që ajo bashkë me Lumir Abdixhikun të bashkonin forcat për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo, pasi ishin ata të dy që kishin votuar kundër procedimit të mocionit ndaj qeverisë Kurti.