Kosova i vetmi vend në Evropë pa vaksinën anti-COVID

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar sot se brenda disa javësh do të arrijnë vaksinat e para në Kosovë, teksa për faktin se Kosova ende nuk ka vaksina të tilla është shfajësuar duke thënë se kanë dashur të pranojnë vetëm vaksina të certifikuara. Këto komente Hoti i bëri në mbledhjen e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19, ku tha se si qeveri ia kanë dal që me sukses të menaxhojnë me pandeminë. Ai ka lavdëruar komitetin për punën e mirë që sipas tij, ky komunitet ka bërë për menaxhimin e pandemisë.

“Për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv bazuar në strategjinë e imunizimit që tash është përgatitur. Informatat që mora dje nga ministri dhe drejtori i instituti janë inkurajuese, duke bërë të mundur që të identifikojmë njerëzit përmes platformës elektronike, duke caktuar saktë orën dhe datën kur do të vaksinohen”, tha ai.
Kryeministri në detyrë shtoi se me një menaxhim të mirë të pandemisë, kanë arritur që t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë pasur nevojë, duke përfshirë mijëra qytetarë dhe mijëra biznese.