Prof.dr. Vetoni Latifi sjell librin e tij më të ri mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare


Universiteti i Varshavës botoi librin universitar të Prof.dr. Vetoni Latifit me titull “Ballkani në Marrëdhëniet Ndërkombëtare bashkëkohore”.
Eastern European Studies (Studimet për Evropën Lindore), një institut i mirënjohur pranë Universitetit të Varshavës, ka botuar një kolanë prej 30 librave të profesorëve universitar të disa vendeve të botës, që do tē përdoren si tekste mësimi në universitet, në të cilën listë është përfshirë edhe libri më i ri i profesor Vetonit Latifit.

Ky edicion i librave botohet me rastin e jubileut 30 vjeçar të Eastern European Studies, që si një program i njohur akademik, me status special pranë Universitetit të Varshavës ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në rezistencën ndaj komunizmit, rrënimin e sistemit komunist në Evropën Lindore, si dhe në integrimin e këtij rajoni në BE dhe NATO.

Para disa viteve Profesor Latifi i ftuar nga Universiteti i Varshavës si profesor vizitor ligjeroi një lëndë nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare për studentët e studimeve pas-diplomike të kësaj qendre. Drejtori i kësaj qendre, Prof.dr. Ian Malicki, si një nga pishtarët e rrëzimit të regjimit komunist, është redaktor i botimit të librit “Ballkani në Marrëdhëniet Ndërkombëtare bashkëkohore” i Prof.dr. Vetonit Latifit nga Universiteti i Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut.

Libri i Veton Latifit i botuar në gjuhën angleze përbëhet nga shtatë kapituj, edhe atë:
“Evropa Qendrore dhe Ballkani në Marrëdhëniet Ndërkombëtare që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”; “Gjeopolitika e Ballkanit dhe Evropa Qendrore”; “Intereset ndërkombëtare dhe rivalitet tradicionale Perëndim-Lindje lidhur me orientimin gjeostrategjik të Ballkanit”; “Historia, konfliktet dhe intervenimi ndërkombëtar që nga rënia e komunizmit në Evropë”; “Faktori i nacionalizmit dhe modelet e marrëdhënieve ndëretnike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Ballkanit”; “Dilema mes qasjes demokratike përballe qasjes së sigurisë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare: Tranzicioni i Evropës Qendore dhe Ballkanit”; dhe “Përpjekjet e dëmshme nga Lindja për të ndikuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Ballkanit”.

Autori nuk rrin indiferent as në këtë libër sa i përket çështjes shqiptare duke e vendosur në kontekst të studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me ç’rast me argumentet e tij teorike shkencore njofton në mënyrë objektive lexuesin ndërkombëtar dhe studjuesit e fushës lidhur me orientimin historik pro-perëndimor të shqiptarëve; luftën shekullore për liri të shqiptarëve në kontekst të marrëdhnënieve ndërkombëtare; vlerat e tolerancës, solidaritetit dhe humanizmit unik, kur shkruan në një seksion të librit lidhur me prospektet gjeopolitike bashkëkohore të shqiptarëve në shekullin XXI. Ndërkaq, në një seksion ku arsyeton bazuar në teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare intervenimin e NATO-s në luftën e Kosovës në vitin 1999 duke e quajtur si kaptinën më të re të hapur për sigurinë ndërkombëtare që nga Lufta e Ftohtë, dr. Veton Latifi luftën e pastërt për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e argumenton në mënyre shkencore si tërësisht liridashëse dhe me mision të mbrojtjes së popullatës civile.

Në recensionet e tyre të botuara, Dr. Rigels Halili, Leszek Hensel dhe Prof. dr. Mirella Korzeniewska-Wiszniewska e kanë vlerësuar lartë librin e Veton Latifit si një kontribut i jashtëzakonshëm në teorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, studimet e Balkanit dhe shkencave politike. Sipas tyre, libri i profesor Latifit “Ballkani në Marrëdhëniet Ndërkombëtare bashkëkohore” është ndër të parët i kësaj natyre në literaturën botërore duke bërë një gërshetim njëkohësisht edhe të Ballkanit edhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, por jo nga aspekti i historisë, por në një kontekst bashkëkohor, pra duke e quajtur një libër pioner në shumë nivele.

Përpos në universitetin që e botoi, libri “Ballkani në Marrëdhëniet Ndërkombëtare bashkëkohore” i Veton Latifit është vendosur menjëherë edhe në disa universitete tjera dhe kurrikula si literaturë obligative për lëndë përkatëse lidhur me Ballkanin dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, duke thyer praktikat e disa dekadave që vetëm autorët jo-shqiptarë të jenë burime lexime dhe referenca lidhur me këto tema.
Ky është libri i dymbëdhjetë i rradhës i Profesor Veton Latifit.