U promovua libri “Unë kufoma e ardhshme” e autores Kaltrina Pacolli


Sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, u promovua libri “Unë kufoma e ardhshme” e autores Kaltrina Pacolli.
Libri i Pacollit trajton një tematikë që vazhdon të jetë plagë në shoqërinë tonë dhe që do trajtuar më seriozisht e në mënyrë më aktive nga shoqëria dhe institucionet.

Pacolli me zërin e dhimbjes, mllefit dhe revoltës, nëpërmjet vargut të saj e thotë atë që me mijëra gra nuk kanë mundësi ta thonë, e thotë atë që duhet thënë secili burrë, sepse ata janë kategoria që duhet emancipuar, në mënyrë që gratë të mos kenë vuajtje.

Zëri i Pacollit merr karakter më kumbues në vargun:
“Vrajem
Si plot gra që u vr*anë,
Si plot e plot që u shanë,
Si plot e plot që kufoma t’gjalla ranë,
Si për plot që kurrgjë nuk thanë”.

Në promovim të këtij libri, kritiku dhe profesori i letërsisë Flamur Maloku, pos tjerash dhe vlerësimit për poemën, tha se Kaltrina tashmë është vlerë letërsisë.
Kurse veta autorja tha se kjo thirrje që del nga një dhomë, do të bëhet zë që të dëgjohet në botë.