Kraja: Mësoni të shkruani shqip, përdoreni korrektorin


Akademik Mehmet Kraja, këshillon të gjithë që të mësojnë të shkruajnë shqip dhe ta përdorin korrektorin kompjuterik, sidomos kur i drejtohen një audience të gjerë.
Këtë këshillë Kraja e ka dhënë në profilin e tij zyrtar në Facebook, teksa është “inspiruar” nga statusi i mikut të tij.

“Dje-pardje mbeta i çmeritur, kur pashë te një mik imi një ë të tepërt, në një tekst të prej 7-8 rreshtash. Ajo ë bërtiste deri në çmenduri në mes të atij teksti, sepse nuk e kishte vendin aty”, shkruan ai ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:
Miq, shkrimtarë, profesorë, gazetarë, politikanë, ambasadorë, burra dhe gra te jetës publike, e kam një lutje për ju: Mësoni të shkruani shqip, Zoti qoftë me ju! Shumë nga ju keni mësuar gjuhë të huaja, flisni mirë anglisht, por kur vjen puna për të shkruar, përdorni korrektorin dhe përpiqeni ta bëni shkrimin sa më të kultivuar. Po shqip? Nuk flas për komunikimin e shpejtë, se ai durohet disi, por kur doni të komunikoni me një audiencë më të gjerë, bëni kujdes, sepse gjuha tregon jo vetëm kulturë e dije, por edhe dinjitet, nivel intelektual dhe përkatësi. Dje-pardje mbeta i çmeritur, kur pashë te një mik imi një ë të tepërt, në një tekst të prej 7-8 rreshtash. Ajo ë bërtiste deri në çmenduri në mes të atij teksti, sepse nuk e kishte vendin aty! Gjuha shqipe është e vështirë në shkrim, por njerëzit mësojnë kinezisht jo më gjuhën amtare! I keni mundësitë, keni “korrektorin kompjuterik”, keni fjalorë të ndryshëm, keni edhe fjalorë drejtshkrinorë! Unë e dua gjuhën shqipe, është gjuha më e mirë në botë! Duajeni edhe ju, se kujdesi për të ju nderon!