Mbledhja e integristëve në selinë e partisë në Reçicë të Vogël kishte për qëllim të tregojë se Bashkimi Demokratik për Integrim është dhe do të jetë unike dhe e mirë organizuar, tha pas takimit kreu i partisë Ali Ahmeti, duke shtuar se janë shpjeguar dallimet “deri në atomin e fundit”.
“Nuk ka pasur pika që nuk takoheshin fare. Ka mundur të ketë ndonjë hatërmbetje apo mos informim të duhur dhe të gjitha gjërat parimisht janë të sqaruara dhe e gjithë puna është në binarë të duhur për të marrë mbi shpatulla përgjegjësi të reja…”, deklaroi Ali Ahmeti.
Por nënkryetari Mexhiti nuk u përgjigj nëse është ndarë i kënaqur pas takimit të mbrëmshëm dhe nëse ende i qëndron idesë për mbështetje të mocionit të mosbesimit ndaj Grubit, në rast se vihet deri tek një e tillë. Mexhiti tha se Ahmeti dje dha deklaratë në emër të të gjithëve, pa dashur të flasë edhe një herë sot për ne.