Vuçiç ende student, e kryen semestrin e parë dhe tregon indeksin me notat që ka marrë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic është ende student, këtë ai e ka bërë të ditur vet, duke publikuar një fotografi në Instagram, ku e tregon indeksin me notat që ka marrë. Ai njoftoi sot se e ka përfunduar semestrin e parë në Shkollën e Lartë të Sporteve me katër provime të mbartura.

Vucic shkroi në profilin e tij se ka marrë tri dhjetëshe dhe një nëntëshe dhe se i vjen keq që nuk mundi të luftojë për dhjetëshen e katërt, sepse kushti për marrjen e notës më të lartë është prezenca fizike dhe kryerja e ushtrimeve, për të cilat, megjithatë, ai nuk kishte kohë.

“Nuk më vjen keq, unë e shfrytëzova atë kohë për të ndihmuar qeverinë tonë për të blerë vaksina për qytetarët e Serbisë sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi Vucic, duke publikuar një foto me indeks të hapur.