OBSH nuk i mbështet pretendimet se COVID-19 mund të ketë arritur fillimisht në Kinë përmes ushqimit të huaj të ngrirë, tha sot eksperti i agjencisë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara, Peter Embarek, duke hedhur poshtë teorinë kineze.
“Ekziston një mundësi që virusi të jetë riimportuar në Kinë në vitin 2020 përmes produkteve të ngrira, në një kohë kur kishte shumë shpërthime të COVID-19 në të gjithë botën, përfshirë në fabrikat e ushqimit”, tha Embarek në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
Ai paralajmëroi se një rrugë e tillë e transmetimit do të ishte shumë e pazakontë, pasi shkencëtarët kinezë kanë gjetur shumë pak produkte të infektuara, pavarësisht hetimeve intensive, raporton ATSh.
Në vitin 2019, virusi ende nuk po qarkullonte në botë dhe nuk kishte shpërthime në impiantet e huaja të përpunimit të ushqimit, prandaj hipoteza e importimit të virusit në Kinë përmes asaj rruge nuk është diçka që po e shqyrtojmë”, shtoi eksperti.
Në vend të kësaj, OBSH po shqyrton mundësinë që kafshët e egra, bartëse të virusit, janë rritur në jug të Kinës dhe më pas janë shitur në një treg më larg, në veri të Wuhan. Sipas Embarek, shumë produkte të ngrira në treg janë gjetur në jug.