Driton Selmanaj dhe Arban Abrashi mbesin jashtë: Këta janë 13 deputetët e LDK’së që kanë siguruar ulëse në Kuvend


Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 103 mijë e 507 vota, apo 13 për qind. Ky është rezultati më i dobët në historinë e LDK’së, pas të cilit kësaj partie i takojnë vetëm 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës, në legjislaturën e kaluar ka pasur 29 deputetë. Por, në zgjedhjet e sivjetme kjo parti ka arritur t’i sigurojë vetëm 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Express ka mësuar emrat e 13 kandidatëve nga lista e LDK’së që kanë arritur t’i marrin votat për t’u bërë deputetë. Në krye të listës (pa votat e diasporës) është Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku, Anton Quni, Armend Zemaj, Ekrem Hyseni, Agim Veliu, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Marigona Geci, Besian Mustafa, Lirije Kajtazi, Vlora Dumoshi, Valentina Bunjaku Rexhepi.

Ndërkaq, deputetët e legjislaturës së kaluar të LDK’së, sipas rezultateve të deritanishme (pa përfshirë votat nga diaspora dhe ato me kusht) që nuk kanë arritur t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit janë Driton Selmanaj, Arban Abrashi, Fetah Rudi, Frashër Demaj, Ilir Ferati, Shkëmb Manaj, Ardian Shala, Rrezarta Krasniqi, Shkelzen Hajdini, Doruntinë Maloku dhe Hatim Baxhaku. Megjithatë, ka mbetur vetëm edhe një emër nga lista e LDK’së që do të futet në Kuvend, por ende nuk është bërë publik.