Maqedoni: Udhëtimi në BE me teste false për COVID-19

Pavarësisht se shtetet fqinje, por edhe disa të tjera kanë hequr testet për koronavirusin me metodën PCR, Maqedonia e Veriut po përballet me dukurinë e falsifikimit të tyre nga qytetarët, që kryesisht ua mësyjnë vendeve të Bashkimit Evropian, ku testet e tilla nevojiten si dëshmi se ata nuk janë të infektuar me këtë virus.
Falsifikimi, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet nga persona që druajnë se mund të jenë të infektuar, por që duan të kalojnë kufirin për arsye të ndryshme.

Çmimi për një test PCR sillet rreth 1,800 denarë apo 30 euro, ndërsa për teste të shpejta sillet rreth 15 euro, por në shumë vende ky i fundit nuk pranohet meqë, detekton infektimin vetëm në pesë ditët e fundit.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se falsifikuesit nuk bëjnë këtë vepër për shkak të kostos së testit, që nuk kushton shumë, por që të mos kenë pengesa në rast se janë të prekur nga sëmundja COVID-19.

“Kjo është një vepër penale që nuk ka të bëjë vetëm me falsifikim të dokumenteve zyrtare, por edhe me rrezikimin e jetës së qytetarëve pasi personat që kanë kaluar kufirin pa këtë test mund të kenë qenë të infektuar, me çka kanë bartur atë jashtë kufijve apo kanë sjellë brenda vendit gjatë kthimit të tyre”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Toni Angellovski, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, përcjell Albinfo.ch.

Sa lloje të testeve janë për COVID-19?
Nga dikasteri i policisë, thonë se para disa ditësh, pa saktësuar vendin dhe kohën, kanë ndalur gjashtë persona, pesë nga Shkupi dhe një nga qyteti i Kavadarit, si falsifikues të testit PCR për kalim të kufirit me Bullgarinë.

Angellovski thotë se ky nuk është rasti i parë, pasi në kufirin me këtë shtet të BE-së janë zbuluar më shumë se 20 raste të falsifikimit të testeve PCR.
Falsifikim të 30 testeve janë zbuluar edhe në vendkalimin kufitar në Bllacë me Kosovën, kur ky shtet kërkonte testin PCR, sikur edhe në Tabanoc afër Kumanovës, drejt kufirit me Serbinë.

Nga Instituti i Shëndetit Publik kanë konfirmuar bashkëpunimin me policinë për zbulimin e testeve false, duke i dhënë informacione MPB-së nëse personat e ndaluar figurojnë ose jo në sistemin e tyre të personave të testuar.

Mjeku Ilir Luma thotë se personat e tillë duhet të marrin dënimin maksimal, pasi dëmet që mund të shkaktojnë ata janë serioze, si përhapës të mundshëm të virusit.
“Këto falsifikime assesi se nuk duhet të lejohen, ato gjëra duhet doemos të pengohen dhe të marrin dënimin e merituar sepse askush nuk guxon që përmes një falsifikimi të tillë të rrezikojë jetën e tjetërkujt. Në fakt, ai është përgjegjës për përhapjen e sëmundjes që për fat të keq në shumë vende po merr jetën e 10, 12 apo 15 për qind të të infektuarve”, thotë mjeku Ilir Luma.

Falsifikimin e testeve për koronavirus, por edhe akte tjera që lidhen me shëndetin e qytetarëve, sociologu Ilija Acevski i quan veprime të ulëta të individëve të pandërgjegjshëm, që sipas tij, për të përfituar të mira materiale, nuk kursejnë as jetën e qytetarëve.

“Morali apo natyra njerëzore është vënë në pikëpyetje kur bëhet fjalë për të përfituar materialisht, pa mbajtur aspak llogari së pari për veten e tij, e më pas edhe më shoqërinë në përgjithësi. Për fat të keq, këto dukuri janë bërë si të rëndomta. Ne jemi bërë egoistë, mendojmë vetëm për veten tonë dhe aspak nuk shqetësohemi për atë që të tjerët bëjnë. Kjo vërtet është shqetësuese, pasi çdonjëri prej nesh mund të jetë viktimë e një veprimi të tillë, por aspak nuk reagojmë”, thotë sociologu Ilija Acevski.