Kica: Nuk kemi atdhe rezervë që Kosova të trajtohet si e zëvendësueshme

Bashkërrugëtuesit e mi,
Ky është postimi im i fundit i kësaj fushate.

Në një kohë kaq të shkurt e kaq të shpejtë, m’keni bërë të ndjehem borxhlike ndaj secilit që më fali mbështetjen e pakusht. E kisha njohur shpirtin e madh të këtij populli, por jo përmasat e sakta të kësaj madhësie, e madhështie, që kanë tejkaluar çdo pritshmëri timen.
Ne nuk kemi atdhe rezervë. E as nuk duhet të lejojmë që Kosova të trajtohet si e zëvendësueshme nga askush që qeveris me të. Ky edhe ishte motivi më i madh që unë vendosa të kaloj një hap tutje, e drejt në tentativën time të parë politike për kontribut.

Me sinqeritetin më të madh që kam, lus që vota juaj të jetë reflektim i nevojës emergjente që mendësia politike të ndryshoj. Që politika të jetë shërbyesi juaj, dhe jo shërbyes i interesave personale mbi kurrizin tuaj.
Dilni të Dielën, me 14 shkurt, masovikisht. Le të jetë mobilizimi juaj mesazhi më i fuqishëm kundër keq-qeverisjes, kundër atyre që na kanë konsideruar injorant e apatik, kundër atyre që shkelën çdo parim, çdo besim dhe shfrytëzuan çdo mjet që karriget pushtetare ti kenë të përjetshme në dëm të këtij vendi.

Zëri juaj të Dielen do të jetë njësia matëse e drejtimit të këtij vendi. Zë i hakut për ata që nuk janë më mes nesh e shkuan pa e përjetuar këtë ringjallje shprese. Për ata që luten që së paku pleqëria e tyre të përjetojë materializim të kësaj shprese. Për ne, rininë, që do ti ndjejmë të gjitha pasojat e vendimmarrjeve të tanishme politike. E në fund, por më e rëndësishmja, për fëmijët tonë të cilëve ua kemi borxh e detyrim një të ardhme ku shpresa mbizotëron e nuk shfaqet veç një herë në njëzetë vite.

Ju jeni forcë e pandalshme e vullnetit të mirë. E kjo forcë e mbështetje e juaj, u jetësoftë me 14 shkurt.
Ju falënderoj përzemërsisht,
E juaja,
Doarsa
#KREJTdheDREJT